Edhe pse vazhdon të luajë në nivelin më të lartë, Luka Modric (40) po shqyrton hapat e tij të ardhshëm pas tërheqjes nga futbolli profesionist.
Mjeshtri kroat po planifikon një rikthim te Real Madridi, por nuk po nxiton të marrë një vendim, duke pasur parasysh se ende po jep paraqitje të shkëlqyera me Milanin, në moshën 41-vjeçare.
Sipas Defensa Central, rikthimi i tij te klubi i dashur është i sigurt, por për momentin ai ka prioritete të tjera. Mediumi spanjoll shkruan me titullin: “Modric pranoi, pastaj e shtyu rikthimin te Real Madridi”.
Raportet thonë se Modric e ka pranuar ofertën e presidentit Florentino Perez për t’u rikthyer në Madrid pas përfundimit të karrierës, qoftë si ambasador i klubit apo si trajner. Megjithatë, ideja e tij është që fillimisht të marrë një vit pushim, për t’iu përkushtuar familjes, pasi të largohet nga Milani.
Pas kësaj periudhe, Modrić planifikon të ndjekë kurse trajneri, me synimin që të marrë përsipër një nga kategoritë e reja në akademinë e Real Madridit. Të punojë me fëmijët është një dëshirë e madhe për të, dhe e sheh këtë si fillimin ideal të karrierës së tij si trajner, shkruajnë gazetarët spanjollë.
Edhe pse plani për rikthim në Madrid është i qartë, Modric është i vetëdijshëm se gjërat mund të ndryshojnë. Performancat e tij me Milanin janë ende në një nivel jashtëzakonisht të lartë, dhe klubi është shumë i kënaqur me kontributin e tij.
Sipas mediave spanjolle, lojtari dhe klubi pritet të diskutojnë për të ardhmen në detaje gjatë muajve të ardhshëm.
Qëllimi kryesor i Modric, megjithatë, mbetet Kupa e Botës e ardhshme, ku ai dëshiron t’i thotë lamtumirë ekipit kombëtar kroat në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ta çojë atë sa më larg.
Një legjendë brenda dhe jashtë fushës
Karriera e Luka Modric ka qenë spektakolare. Ai do të mbahet mend si një nga mesfushorët më të mirë në historinë e futbollit botëror.
Gjatë viteve në nivelin më të lartë, ai refuzoi oferta shumë më fitimprurëse financiarisht, duke ruajtur një lidhje të pathyeshme me Real Madridin dhe Kombëtaren e Kroacisë.
Modric ka fituar një rekord prej 28 trofesh me Real Madridin, ndërsa me Kroacinë ka zënë vendin e dytë dhe të tretë në Kupat e Botës, si dhe vendin e dytë në Ligën e Kombeve.