Anëtarja e Komisionit të Pavarur për Media, Luljeta Aliu, e cila në këtë pozitë është zgjedhur nga votat e deputetëve të VV-së, ka treguar se kush duhet të jetë në pozita të larta publike.
Duke harruar se më herët ka qenë përkrahëse e madhe e VV-së, Aliu ka vlerësuar se këto pozita mund të kryhen mirëfilli vetëm nga njerëz me integritet të lartë profesional e personal.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se këta njerëz janë të pashantazhueshëm dhe të guximshëm.
“Secila punë që e bëjmë është e vlefshme. Por punët që kryejmë për të mirën publike, për të mirën e qytetarëve, duhet dhe mund të kryhen mirëfilli vetëm nga njerëz me integritet të lartë profesional e personal, njerëz të pashantazhueshëm e të guximshëm, njerëz që nuk e kanë veten në rend të parë, por vendin. Vendet e punës në institucione e agjenci shtetërore janë të dizajnuara për persona që duhet ta dinë se do të jenë shërbëtorë të qytetarëve, që janë në një detyrë shërbimi ndaj vendit”, ka shkruar ajo, duke shtuar se zgjedhja në këto pozita është edhe sakrificë financiare.
“Duke qenë se sektoret tjera janë me lukrative, të qenit e/i punësuar në këto pozita, nënkupton se kërkohet sakrificë financiare dhe përkushtim maksimal. Vetëm atëherë kur mendon më shumë për shtetin se për veten mund ta kryesh këtë lloj pune me devotshmërinë e duhur”, ka shkruar Aliu.