Disa ditë pasi disa serbë lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës, barrikadat u vizituan nga një shtetas serb i dënuar për pjesëmarrje në forcat ruse gjatë luftës në Ukrainë në vitin 2015.
Nikolla Joviq, i cili u dënua nga Gjykata e Lartë për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë, veprim që ligji serb e dënon, ka publikuar në Facebook fotografi nga fshati Rudarë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
Në këtë vend, kamionët e disa serbëve lokalë janë përdorur për ta bllokuar rrugën që disa ditë, në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të bashkëkombësit të tyre dhe ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq u arrestua më 10 dhjetor, pasi që autoritetet e Kosovës dyshojnë se ai mori pjesë në sulmin ndaj zyrës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.
Joviqi ka thënë se shkoi në veri të Kosovës si gazetar i medias shtetërore ruse Russia Today (RT). Në fotot e tij të publikuara më 13 dhjetor shihet një veturë e misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR-it, flamuri i Serbisë në oborrin e një shtëpie, si dhe një tendë e ngritur nga disa banorë lokalë në fshatin Rudarë.
Joviq e ka publikuar edhe një fotografi të veten në Mitrovicën e Veriut në Kosovë.
“Në barrikada. Gjithmonë me njerëzit e mi”, shkroi Joviqi përkrah fotove të publikuara.
Në njërën nga fotot e Joviqit, në Kosovë shihet edhe simboli i pushtimit ushtarak rus të Ukrainës, “Z”.
Ai gjithashtu ka postuar në Facebook se si raporton nga Kosova, si korrespondent i kanalit shtetëror rus Russia Today (RT).
RT filloi transmetimin online në gjuhën serbe më 15 nëntor me mesazhin “Kosova është Serbi”.
RT-së, si një media e kontrolluar nga Kremlini dhe e financuar nga buxheti i shtetit, i ndalohet transmetimi në Bashkimin Evropian që nga marsi i vitit 2022.
Ky medium është cilësuar si mjet kyç për përhapjen e propagandës ruse dhe është bërë cak i një pakoje të sanksioneve ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.
Në tetor, Joviqi njoftoi në Facebook se atij i ishte ndaluar hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë.