Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një videomesazhi ka kritikuar Qeverinë Kurti se po bën propagandë me numra në çështjen e investimeve kapitale.
Ai tha se investimet e Qeverisë Kurti në këto tri vjet qeverisje janë më të ulëtat në histori të Kosovës.
“Merreni temën e investimeve kapitale ku thonë se janë më të lartat në histori. Për ta bërë veten të duken më të mirë, besoni ose jo, i llogarisin edhe investimet e komunave. Sa për rikujtim, investimet e qeverisë në këto tre vite janë 11 për qind, më të ulëtat në histori të Kosovës”, tha Abdixhiku
Kreu i LDK-së ia përmendi VV-së edhe çështjen e Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë, çështje kjo e ngritur ditë më parë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se këtë Byro po e pengon opozita pasi e ka çuar ligjin në Kushtetuese.
Abdixhiku tha se qeveria po bën propagandë edhe për këtë temë, pasi sipas tij, ky ligj ishte votuar vetëm falë LDK-së, pasi pushteti s’i kishte votat.
“Ose merreni për shembull propagandën e tyre rreth Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë tek rasti i konfiskimit të aseteve të Radoiçiqit, me të cilin përndryshe kanë folur vet këta. Por, për Byronë thonë se po e bllokon opozita. Byronë e Konfiskimit të Pasurisë e ka votuar LDK-ja, e di sepse e kam votuar vet sepse pushteti s’kishte vota për ta votuar atë. U votua sepse e kishim program tonin elektoral, ishte ideja e jona, fundja”, tha Abdixhiku.
Më tej, kreu i LDK-së e përmendi edhe një herë temën e tenderëve njëburimorë, për të cilën tha se vetëm gjatë kësaj jave, Qeveria Kurti për pesë ditë pune ka nënshkruar shtatë tenderë të rinj.
“Sepse besojmë se hajnat vërtetë duhet të jenë në burg, e kur jemi te hajnat e te burgu, vetëm gjatë kësaj jave, vetëm për pesë dite pune janë nënshkruar plot shtatë tenderë të rinj sekretë në këtë qeveri, 4.1 milionë euro të reja janë dhënë në tavolinë sy më sy, më s’janë 781 kontrata, janë 788 kontrata, më s’janë 209 milionë euro, por 213, nga 1 milion euro po jepen në këtë qeveri, përmes negocimit sekret”.
Videomesazhit të Abdixhikut iu kundërpërgjigj vet ministri i Financave, Hekuran Murati, për të cilin tha se kjo çfarë po bën LDK-ja është vetë definicioni i propagandës, e ku sipas tij, investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 ishin 561 milionë euro.
“Lumiri në anën tjetër po mundohet të na bindë që kjo nuk qenka e vërtetë sepse sipas tij ne i paskemi llogaritë edhe investimet e realizuara nga komunat, e që sipas tij ‘shumica udhëhiqen nga LDK-ja’. E para, investimet kapitale buxhetore çdoherë llogariten duke përfshirë të gjitha nivelet. Për analiza më të detajuara, mund edhe të bëhet zbërthim në mes të nivelit qendror a lokal, e madje edhe njësi për njësi. Ju mund të bëni çfarëdo zbërthimesh që doni, përderisa e shpalosni saktë se çfarë shifra po prezantoni. Por kushdo që thotë se investimet kapitale buxhetore për vitin 2023 nuk janë 561 milionë euro, po e thotë të pavërtetën”, tha Murati
Ministri Murati iu kundërpërgjigj Abdixhikut edhe për tenderët njëburimor, për të cilët tha se të vërtetën e thotë ligji për Prokurim Publik, e që sipas tij, secili prokurim me negocim direkt e ka bazën në ligj.
“Por Lumiri, flet për “tenderë sekret” a “tenderë njëburimorë” vetëm e vetëm që të krijohet përshtypja tek qytetari që nuk e njeh ligjin e prokurimit, se paska diçka në këtë far pune. Mirëpo Lumiri ka mjaftueshëm njohuri sa ta dijë që këto shprehje “sekret” e “njëburimorë” as nuk ekzistojnë fare në ligj, dhe as nuk përshkruajnë saktë kontratat e negociuara, sepse mund të ketë negocim edhe me më shumë se një operator. Dhe megjithatë Lumiri i përdorë këto shprehje. Pra çfarë tjetër mund t’i thuhet kësaj, kur dikush qëllimshëm mundohet të deformojë të vërtetën, përveçse propagandë Lumir?!”, shkroi më tej Murati.
Për sa i përket vlerës së tenderëve njëburimorë, të cilët sipas Abdixhikut shkojnë mbi 210 milionë euro, Murati tha se ai qëllimshëm s’po e tregon se kjo shumë është për tri vjet qeverisje, e që sipas tij, Abdixhiku s’po e përmend se ministrisë e komunat përbëjnë më pak se gjysmën.
“Dhe për fund, për t’i vënë kapak propagandës, mjafton të shikoni pëlqimet në statusin e Lumirit. Shumica dërmuese e personave që kanë pëlqyer postimin e tij janë profile false. Nuk bën kështu, Lumir. Kjo do të të falej nëse garon për kryetar klase, por kjo nuk është e denjë për dikë që pretendon të garojë për kryeministër”, tha në fund Murati.
Përplasja mes VV-së e LDK-së vazhdoi edhe më, ku pararendësja e Muratit, Hykmete Bajrami, e cilësoi pasardhësin e saj si “ministër i dështimeve kapitale”, i cili sipas saj, po e arsyeton korrupsionin qeveritar.
“Më së shumti kanë nisur të brengosën ministrat që kanë shënuar rekorde dështimi. Njëri prej tyre është Hekuran Murati, i cili po tenton të mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimorë dhe dështimet në investime kapitale”, tha Bajrami, transmeton Klankosova.tv.
Ajo e ftoi Muratin që partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ta përkrahë Komisionin Hetimor për tenderët njëburimorë “dhe ta shohin të gjithë krimin e korrupsionin që e ka kapluar këtë qeveri”.
“Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s’mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin. Dhe po e dimë që po të pengojmë por s’do të ndalemi – Propaganda nuk kalon”, tha Bajrami.
Muratit i reagoi edhe ish-ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, i cili tha se “Murati, ministri i mashtrimit, mashtron edhe në mesnatë”.
Mustafa tha se Murati me kontrata sekrete ka shpenzuar mbi 428 mijë euro për qira të veturave, mbi 441 mijë euro për sigurim fizik të objekteve e mbi 170 mijë euro për konuslenta, ekspertë e programerë.
Opozita tash e disa kohë po kërkon në Kuvend që të themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore të dhëna nga Qeveria Kurti, por një gjë e tillë nuk po mundësohet pasi këtë nuk po e voton partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i doli kundër partisë së tij, duke thënë se duhet të mundësohet krijimi i komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.
“Unë jam që të mos bëhet asnjë pengesë në themelimin e komisioneve hetimore parlamentare, cilat do qofshin ato. Është instrumenti i vetëm që ka opozita në duar. Betejat gjithmonë duhet të bëhen brenda komisioneve pasi që të themelohen ato, mos të vendosen kështu kushtëzime, pamundësim teknik i themelimit të komisioneve hetimore. Unë shpreh vullnetin tim, që komisionet nuk duhet të pengohen në Kuvend sepse nëse kjo bëhet precedent, në mënyrë afatgjate dëmtohet Kuvendi dhe parlamentarizmi në shtetin tonë”, deklaroi ai më 29 mars.