Fondi Monetar Ndërkombëtar po shqyrton një paketë ndihme për Ukrainën deri në 16 miliardë dollarë. Këtë e raporton agjencia Bloomberg duke cituar disa burime, sipas të cilave fondet do të përdoren për të plotësuar nevojat e vendit por edhe si katalizator për ndihmën e mëtejshme ndërkombëtare.
Programi i ndihmës është i lidhur me kushte të ndryshme, duke përfshirë mbështetjen nga G7 dhe vendet huadhënëse dhe kreditore të Kievit. FMN “mbetet e angazhuar” me Ukrainën, tha fondi për Bloomberg News, duke shtuar se bashkëpunimi “mund të hapë rrugën drejt një programi të plotë”.
Nëse vendet anëtare të FMN-së nuk japin mbështetjen e duhur, mund ta mbështesin Ukrainën me një program 1.3 miliardë dollarësh të Instrumentit të Financimit të Shpejtë. FMN muajin e kaluar vlerësoi se financimi i jashtëm i Ukrainës duhet të jetë së paku 39.5 miliardë dollarë këtë vit.
Bashkimi Evropian është zotuar t’i japë Ukrainës 18 miliardë euro (19.5 miliardë dollarë) ndihmë financiare këtë vit dhe SHBA-ja pritet të kontribuojë rreth 10 miliardë dollarë, ndërsa Ukraina parashikon që edhe kreditorët e tjerë të dërgojnë shuma të ndryshme./abcnews.al/