Luajti katër vite në Turqi dhe i njeh mirë, Shala: Nuk jemi favorit, por i mposhtim – Aro do të jetë vendimtar në penallti

- Advertisement -

Herolind Shala është një nga futbollistët më të mirë që ka luajtur te Kombëtarja e Kosovës që nga pranimi e këtej.

Mesfushori nga Drenasi ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, por me t’u pranuar Kosova në UEFA dhe FIFA, ai u largua nga kuqezinjtë dhe iu bashkua “Dardanëve”.

Që nga debutimi i tij më 10 tetor 2016, Shala ka zhvilluar 27 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës, numër që ka mundur të jetë shumë më i madh, nëse nuk do ta ndiqte fati i keq me lëndime.

34-vjeçari ka bartur edhe shiritin e kapitenit te Kosova në disa ndeshje, ndërsa ka luajtur për katër vite në Turqi – një sezon te Kasımpaşa. dhe tre të tjerë te Erzurumspor.

Para ndeshjes finale për Kampionatin Botëror, Shala ka folur për Telegrafin, duke u ndalur te përballja mes Kosovës dhe Tuqisë, koha e tij në këtë vend dhe rrugëtimi me Kombëtaren.

“Fillimisht dua të them se arritja në këtë pikë e Kombëtares është diçka e paimagjinueshme. Kjo është mrekulli çfarë kanë bërë këta djem dhe shpresojmë të gjithë që të bëjnë edhe një hap para dhe të kualifikohemi në Kampionatin Botëror”, tha Shala për Telegrafin.

Mesfushori dardan thotë se nuk do të jetë aspak lehtë, por ka besim në ekipin kombëtar të Kosovës.

“Të gjithë e dimë se çfarë futbollistë ka Turqia në radhët e veta, por edhe ne kemi futbollistë tejet cilësorë. Nuk kemi qenë ndaj askujt favorit dhe i kemi mposhtur me radhë të gjithë, pse mos ta bëjmë këtë edhe ndaj Turqisë. Kam besim se do të fitojmë”, tha Shala.

Mesfushori që aktualisht aktivizohet te Feronikeli, kujton edhe sfidën ndaj Turqisë në Antalya, ku Kosova u mposht 2-0 dhe ai luajti 90 minuta.

“Ka qenë ndeshja jonë më e mirë në atë kampanjë kualifikuese. Vërtetë kemi luajtur mirë e gjithë skuadra, edhe personalisht kam pasur një paraqitje fantastike. Pas ndeshjes ka ardhur te zhveshtorja dhe më ka përgëzuar edhe Fatih Terim për paraqitjen. Gjithsesi në atë kohë ishim të rinj si ekip kombëtar dhe tani janë gjërat ndryshe. Turqit ishin favorit të mëdhenj në letër, kishin cilësi më shumë dhe ishte e natyrshme që na mposhtën. Tani këndohet këngë tjetër në Prishtinë”, tha Shala për Telegrafin.

Ai kujton kohën e tij në Turqi, duke thënë se e kanë pritur shumë mirë.

“Kam shumë miq të mirë në Turqi. Një vend që më ka dhënë shumë në karrierë, më kanë respektuar jashtëzakonisht. Më kujtohet në vitin 2017 ishte një ndeshje bamirësie dhe janë grumbulluar yjet nga të gjithë klubet, përfshirë Samuel Eto’o, Talisca, Emre, Wesley Sneijder e të tjerë, dhe ishte trajneri Fatih Terim që më ftoi dhe kam luajtur në atë ndeshje. Prezent ishte edhe presidenti Recep Tayyip Erdogan, të cilit i erdhi shumë mirë kur kuptoi se jam nga Kosova. Jemi popull miq mes vete, por duhet t’i mposhtim dhe të shkojmë në Botëror”, tha Shala.

Ish-numri pesë i Kosovës flet edhe për kohën sa ishte pjesë e “Dardanëve”.

“Kam luajtur për grupmoshat e Norvegjisë, për Kombëtaren A të Shqipërisë dhe Kosovës. Ndjesia që më ka dhënë përfaqësimi i vendit tim, Kosovës, nuk përshkruhet dot me fjalë. Jam djalë Drenice, vend që i ka dhënë shumë Kosovës dhe sa herë e kam veshur fanellën e vendit tim jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, jashtëzakonisht krenar dhe kam dhënë gjithmonë 200 për qind nga vetja në fushë”.

“Fillimet kanë qenë shumë të vështira, nuk kishim kushte në stërvitje, nuk kishim stadium për t’i luajtur ndeshjet, por tani Kombëtarja e Kosovës, sa i përket kushteve, është e barabartë me kombëtaret më të mira në botë”.

“Jemi përmirësuar shumë në të gjitha aspektet, nga ai organizativ te loja në fushë. Kosova është në rrugën e saj më të mirë dhe shpresojmë të gjithë të vazhdojë në këtë mënyrë”, tha Shala për Telegrafin.

Ish-kapiteni tregon edhe ndeshjet që nuk i harron kurrë me fanellën e Kosovës.

“Fitorja 4-0 ndaj Azerbajxhanit mbetet një natë historike për të gjithë atë gjeneratë. Gjithashtu nuk e harroj kurrë edhe ndeshjen time të fundit me fanellën e Kombëtares, që ishte ndaj Greqisë në udhëtim. Në atë ndeshje isha kapiten dhe arritëm të merrnim një pikë shumë të rëndësishme kundër një kundërshtari të vështirë. Gjithsesi, çdo ndeshje që kam zhvilluar me fanellën e Kombëtares mbetet e veçantë dhe nuk do ta harroj kurrë”.

Krejt në fund, Shala jep edhe një parashikim për sfidën e së martës mbrëma.

“Besoj që do të jetë ndeshje e fortë dhe pa gola. Në penallti fitojmë, pasi kemi një nga portierët më të mirë në botë në pritjen e penalltive si Arijanet Muric”, tha Shala.

Kosova dhe Turqia do të përballen të martën mbrëma me fillim nga ora 20:45 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Të ngjashme

Të fundit