Drita e Llapi po vazhdojnë ndjekjen e Ballkanit, me llapjanët që tani kanë marrë kryesimin përkohësisht fal kësaj fitore ndaj Gjilanit.
Drita – Prishtina
Për nga emrat e skuadrave, kjo ishte kryendeshja e javës, por në 90 minutat e zhvilluar në Gjilan nuk pati edhe aq shumë rrjedhshmëri në lojë, ndërsa u shënua vetëm një gol.
Intelektualët ishin më të rrezikshëm në 45 minutat e para, me pak më shumë raste të krijuara, ku vlen të veçohet se dy portierët bënë punë shumë të mirë, duke bërë pritje që mbajtën portën e paprekur.
Vendasit filluan më mirë edhe pjesën e dytë, dhe arritën deri te goli.
Zhvillohej minuta e 61-të kur Blerim Krasniqi shënoi me kokë, i asistuar nga Ovouka.
Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat dhe Drita triumfoi 1:0. Pas kësaj fitore ata radhiten të tretit në Superligë, me dy pikë pas Ballkanit dhe katër pas Llapit.
Llapi – Gjilani
Ndeshja më interesante e ditës së sotme u zhvillua në Podujevë, ku pati raste diskutabile e fitorja erdhi në çastet e fundit.
Gjilani e filloi mirë takimin, duke vënë në vështirësi shumë skuadrën e Tahir Batatinës, madje në një rast Ilir Avdyli intervenoi për mrekulli për ta shpëtuar skuadrën e tij.
Pasi vuajtën shumë, në një nga rastet e pakëta të Llapit, Ahmed Januzi e çoi topin në rrjetë në minutat shtesë të pjesës së parë.
Pjesa e dytë ishte më e flaktë, me të dy skuadrat që kërkonin rezultat pozitiv nga kjo ndeshja, për objektiva të ndryshme, raporton Nacionale.
Gjilani barazoi në 1:1 kur në minutën e 71-të nga penalltia shënoi Jarovic.
Në minutën e 82-të u akordua penallti shumë diskutabile për Llapin, që mori mbi pesë minuta të konfirmohej.
Gramos Shala vendosi për 11 metërsh dhe Muhamet Hyseni mori përgjegjësinë për të goditur, ku herën e parë gjuajtja e tij u ndal nga portieri Aridon Bllaca, por penalltia u përsërit dhe Hyseni shënoi për 2:1.
Kjo fitore është shumë e rëndësishme për Llapin, pasi del në pozitën e parë në renditje, duke kaluar për dy pikë Ballkanin, ndonëse këta të fundit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Dukagjini – Fushë Kosova
Dukagjini nuk po kalon kohëra të mira, dhe kësaj radhe probleme i paraqiti edhe Fushë Kosova.
Pampurat ishin më të mirë në pjesën e parë, ndërsa skuadra nga Klina po vuante në ndërtim të aksioneve.
Vendasit u këndellën paksa në pjesë të dytë, duke arritur të dilnin para, por dështuan të shënonin dhe kështu ndeshja përfundoi pa gola.