Kryetari i Komunës së Drenasit ka vlerësuar punën e zjarrfikësve në këto ditë kur temperaturat e ambientit po vazhdojnë të jenë të larta e që për pasojë po shkaktohen zjarre të shumta në komunën që ai e drejton.
Ramiz Lladrovci tha se zjarrfikësit janë heronj që gjenden në mbrojtje të pronës publike dhe private të kërcënuar nga zjarri.
Tutje, ai bëri me dije se Golesh zjarri po vazhdon, por me intensitet më të ulët, kurse në Gjergjicë, sipas tij, flakët vazhdojnë të përbëjnë rrezik, raporton Klankosova.tv.
“Zjarri në Golesh (Sankoc), për momentin është duke vazhduar me një intensitet më të ulët. Gjatë ditës së djeshme ishin në intervenim 6 zjarrfikës nga Drenasi, 6 zjarrfikës nga Prishtina, 4 zjarrfikës nga Lipjani dhe 27 ushtarë të FSK-së”.
“Në Gjergjicë, zjarri vazhdon të përbëj rrezik edhe pse ka kaluar në pjesën e Balincës (Malishevë) dhe zjarrfikësit janë duke u përballë me flakët. Zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes për t’u përballur me situatën. DShPE, është duke i furnizuar zjarrfikësit me pije dhe ushqim”, deklaroi Lladrovci.
Ai uroi që përpjekja e zjarrfikësve të ketë sukses, teksa u shpreh se sikur të ishte në Kosovë “do të isha krah zjarrfikësve, heronjtë e këtyre ditëve”.