Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në takimin e z. Vaughan Smith me kryetarin e Prishtinës, z. Përparim Rama, i cili do ta iniciojë procedurën e shpalljes “Qytetar nderi” të kryeqytetit tonë.
“Më e veçanta e nderimit tonë për këtë mik, është se z. Smith së bashku me disa gazetarë tjerë ndërkombëtarë, qëndruan në shtëpinë tonë, dy ditë para se të binte në fushën e nderit, Feha me Xhevën. Pra, është gazetari i fundit që u takua para se të kalonin në përjetësi, Feha me Xhevën”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Jam i lumtur që me rastin e 24 vjetorit të Epopesë së Jasharajve, gazetari britanik Vaughan Smith, do të bëhet qytetar nderi i Prishtinës, këtë e konfirmoi kryetari Përparim Rama, gjatë takimit që e patëm me mikun tonë nga Mbretëria e Bashkuar.
Vizita e sotme, është e lidhur me Marsin e vitit 1998, ndërsa Adem e Hamzë Jashari luftonin heroikisht me forcat serbe, z. Smith me kamerën e tij ia dokumentonte kombit tonë dhe botës, tërë heroizmin e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Jasharajve heroik.
Familja jonë, ka nderim të posaçëm dhe emocione të forta që na lidhin me z. Vaughan Smith, sepse, heroi Fehmi Lladrovci dha edhe intervistë për gazetarin, mikun e kombit tonë, z. Smith, e cila pati jehonë në opinionin vendor e ndërkombëtar për qëllimet e luftës tonë të drejtë.
Ndërsa më e veçanta e nderimit tonë për këtë mik, është se z. Smith së bashku me disa gazetarë tjerë ndërkombëtarë, qëndruan në shtëpinë tonë, dy ditë para se të binte në fushën e nderit, Feha me Xhevën. Pra, është gazetari i fundit që u takua para se të kalonin në përjetësi, Feha me Xhevën.
Ne jemi të bekuar me miqësinë e z. Smith i cili me dekada e përcolli të vërtetën për luftën tonë çlirimtare dhe të vërtetën rreth Kosovës, kombit shqiptar dhe të drejtës tonë për të jetuar të lirë dhe me miqësi të përjetshme me shtet demokratike të botës!
Respekt për punën Tuaj fisnike, miku im Smith. E vërteta për luftën tonë çlirimtare, bëhet më e plotë dhe më e dokumentuar duke iu falënderuar punës Tuaj të shkëlqyer!
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10225202343159678&id=1653723698