Me rastin e Ditës së Çlirimit të komunës së Drenasit, kryetari i komunës ka përgëzuar qytetarët dhe ka përshkruar aktivitetet e dedikuara për këtë ditë.
Qytetarët e komunës së Drenasit përjetësisht janë falënderues nga përpjekjeve dhe sakrificës madhore të bashkëqytetarëve të vet në luftën për çlirim, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë:
Qytetarë të komunës së Drenasit, gëzuar Dita e Çlirimit!
Aktivitetet për nder të Ditës së Çlirimit të komunës së Drenasit, i kemi filluar duke vënë lule të freskëta në Sheshi “Fehmi Lladrovci, pranë shtatoreve të heronjve Adem, Hamëz e Shaban Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Rasim Kiçina, Bedri Shala, Ilaz Kodra dhe dr. Hafir Shala.
Nga këtu, kemi vijuar me nderime pranë Memorialit të Dëshmorëve në Marinë, dhe në grupe, kemi bërë homazhe dhe kemi vendosur lule të freskëta pranë varreve të dëshmorëve në Likoshan, Gllanasellë, Çikatovë të Vjetër, Baicë, Abri (në dy vende), Tërdec, Gllobar, Terstenik, Verboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Vjetër (në dy vende) dhe në Nekoc, vende ku pushojnë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, vendet ku shihet vlera e lirisë tonë.
Në Seancën Solemne të Kuvendit të Drenasit, mbajta një fjalë rasti, për të përgëzuar qytetarët e komunës tonë për Ditën e çlirimit.
Në Foajenë e Shtëpisë së Kulturës, vizitova ekspozitën e skulpturave, ndërsa më ora 12:00, me mysafirë, kemi përcjellë Programin e shkëlqyer festiv të korit të nxënësve të Shkollës “Halil Bajraktari” dhe të Shoqërisë folklorike “Shqipet e Drenicës”.
Qytetarët e komunës së Drenasit përjetësisht janë falënderues nga përpjekjeve dhe sakrificës madhore të bashkëqytetarëve të vet në luftën për çlirim.
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Gëzuar Dita e çlirimit!