Me rastin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lart sakrificën e Jasharajve në krye me Komandantin legjendar Adem Jashari, dëshmorët, martirët dhe kontribuuesit e lirisë.
Postimi i Lladrovcit në fb:
Pas nderimeve në Memorialin e dëshmorëve në Marinë dhe të gjitha memorialeve të dëshmorëve në komunën tonë, për herë të parë, sot, me krenari e vesha uniformën e veteranit të UÇK-së.
Mbledhja solemne e Kuvendit të Drenasit, iu kushtua shënimit të përvjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe Jasharajve në krye me Komandantin legjendar Adem Jashari.
Në mbledhjen solemne, mbajta këtë fjalë rasti:
Për gati një shekull përpjekje kundër okupatorit serb, të përkushtimit atdhetar të shumë brezave, të dhjetëra mijëra patriotëve të shquar, në dekadën e fundit të mijëvjeçarit, i krijuam kushtet për luftë të armatosur dhe çlirimin e vendit.
Ishte bekimi që doli nga sakrifica e Jasharajve në krye me Komandantin legjendar Adem Jasharin, ishte 5, 6 e 7 marsi që historia ndaloi për të filluar nga fillimi, për të filluar çlirimin e vendit.
Marsi legjendar erdhi pas rrethanave të krijuara nga dhuna e papërmbajtshme e forcave okupatore, aparteidit dhe vrasjeve të qytetarëve të pafajshëm, ishte kohë kur një popull dilte në rrugë për të drejtat e veta, ishte kohë kur shkollat u ndaluan, punëtorët u përjashtuan nga puna, fëmijët na helmoheshin dhe jeta në Kosovë u bë e pamundur.
Kjo shtypje mizore e okupatorit, po ndodhte në kohën kur ata tashmë e kishin kuptuar se një popull nuk po nënshtrohej.
Kësaj dhune të organizuar nga shteti jugosllav, bijat dhe bijtë më të devotshëm të kombit, iu përgjigjen në fillim me mjete paqësore, për të vijuar me armë në dorë, pa pyetur për çmimin.
Ishte Prekazi që u bë sinonim i kalasë së pamposhtur, një komb i tërë u rreshtua krah familjes Jashari me Epopenë e UÇK-së, për ta bërë lirinë të pandashme nga jeta e qytetarëve tanë.
Sot, ne nderojmë sakrificën mbinjerëzore të Jasharajve legjendar, nderojmë përpjekjen dhe përkushtimin e gjeneratave të tëra të atdhetarëve e kontribuuesve për çlirim, nderojmë dëshmorët, martirët dhe familjet e tyre.
Ne sot, si tërë Kosova, shprehim nderim dhe përkulemi para sakrificës së qytetarëve tanë për liri.
Ne sot nderojmë kontributin e aleatëve, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe vendet demokratike të cilat i dolën në mbrojtje të drejtës tonë për liri.
Në këtë ditë të jashtëzakonshme për kombin tonë, nderojmë përkushtimin atdhetar të secilës familje dhe individ i cili kontribuoi për liri.
Pas një lufte të pabarabartë por të bazuar në norma ndërkombëtare, të sakrificës epike të të gjithë qytetarëve, ne arritëm të çlirohemi dhe ta formojmë shtetin dhe të ndërtojmë institucionet demokratike.
Në mesin tonë, nuk janë me ne fizikisht të pranishëm, heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët tjerë që ndodhen në Hagë, po e bëjnë betejën e fundit për të drejtën tonë, për të mbrojtur vlerat e luftës tonë, për të mbrojtur të drejtën tonë për liri.
Sot këtu, bashkë në këtë asamble, me punë e përkushtim, kujtojmë të djeshmen, për të ndërtuar shtet me vlera demokratike, në themelin e të cilit është përkushtimi dhe sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve tanë, të filluar me sakrificën e jashtëzakonshme të Jasharajve legjendar.
Kurrë nuk është mjaft për të kontribuar për vendin.
Rrethanat në të cilat gjendemi, urtësia dhe besimi e mirëbesimi na duhen më shumë se çdo gjë tjetër, për ta çuar përpara vendin drejt familjes së madhe të shteteve demokratike,
Të gjejmë dhe të shterim të gjitha energjitë, për shtet e shtetësi të denjë për vete dhe gjeneratat që po vijnë.
Ta bëjmë Kosovën ashtu siç e deshtën idealistët që dhanë jetën për liri.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Jasharajve në krye me Komandantin legjendar Adem Jashari!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Faleminderit!
https://www.facebook.com/share/p/17ur3pu141/?mibextid=wwXIfr






