Me rastin e vënies së pllakës mirënjohëse nga Shoqëria “Lëvizja” pranë shtëpisë së Haradin Mujës, për meritat gjatë disa dekadave si vendqëndrim të ilegalitetit deri në luftën çlirimtare, ku të pranishëm ishin atdhetarë e veprimtarë, veteranë të UÇK-së dhe bartës të përgjegjësive institucionale, si Ali Ahmeti e shumë personalitete tjera, Ramiz Lladrovci, mbajti fjalë rasti, transmeton Scanner.
“Shtëpia ishte ndërtuar nga Baca Din, i cili nga Gradica e Drenicës, kishte marrë me vete tërë atë që mund të merrej. Mikpritja, bujaria, besa, miqësia, sinqeriteti, ngrohtësia, besnikëria dhe ashpërsia ndaj okupatorit me tërë atdhetarizmin e trashëguar”, ka theksuar Lladrovci në fjalën e tij.
Fjalimi i plotë i Ramiz Lladrovci:
E nderuara Familje Muja,
Miq, shokë, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë,
Zonja e zotërinj,
Motra e vëllezër,
Bij, nipa e mbesa të Haradin Mujës,
Jemi sot këtu, për të marrë pjesë dhe për të përshëndetur Shoqërinë “Lëvizja”, e cila me këtë iniciativë, po i vë disa shenja të cilat para se të ishin në granit, janë në zemrat e atdhetarëve që gjetën mikpritjen në këtë shtëpi.
Këtë punë që po e bën Lëvizja, do të duhej të ishte bërë nga Ministria e Kulturës, sektori i Trashëgimisë kulturore e historike.
Ndoshta kjo historike i duket dikujt e tepërt, por jo, duhet të kemi sektorin e trashëgimisë historike.
Dy javë më parë, u vu pllaka te shtëpia e Hamit Avdiut, për të vazhduar sot, te shtëpia e Haradin Mujës.
Kjo shtëpi, nuk dallonte nga shtëpitë tjera në këtë lagje të re të kryeqytetit tonë.
Shtëpia ishte ndërtuar nga Baca Din, i cili nga Gradica e Drenicës, kishte marrë me vete tërë atë që mund të merrej. Mikpritja, bujaria, besa, miqësia, sinqeriteti, ngrohtësia, besnikëria dhe ashpërsia ndaj okupatorit me tërë atdhetarizmin e trashëguar.
Kjo shtëpi, ishte e madhe, sepse, priste e përcillte njerëz që do ta bëjnë historinë, në tri luftërat tona çlirimtare.
Në këtë shtëpi, do të gjejnë mikpritjen ideologët e lirisë dhe çlirimit tonë, Adem Demaçi dhe Ahmet Haxhia, Fehmi e Xhevë Krasniqi Lladrovci, Ali Ahmeti e Musa Xhaferi, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Fadil Vata e Xhavit Haziri, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, shokët që i përmendi dhe nuk i përmendi Emrush Xhemajli, heronj e heroina që sot i bëjnë roje atdheut.
Prishtina ishte dhe mbetet zemra e ideve atdhetare që me universitetin e vet e ndriçoi tërë kombin.
Prishtina ishte ura e qëndresës gjithëshqiptare, planeve e ideve atdhetare.
Kjo shtëpi, u bë çerdhe e ideve dhe veprimeve atdhetare nga fundi i viteve ’70, deri te celulat e para të UÇK-së.
Sot, kjo pllakë i takon kësaj shtëpie me meritë, ashtu siç ju takon edhe shumë shtëpive që padrejtësisht sot harrohen. Shtëpitë e ilegalitetit, strehimit, mikpritjes dhe sigurisë për atdhetarët nga të gjitha trojet etnike.
Vlera e kësaj pllake do të ishte më e madhe po të ishte Baca Din dhe halla Zade gjallë, për të parë se mundi dhe përpjekja e tyre, ia ka vlejtur edhe pse me vetëdije e rrezikonin familjen e vet, si prindër të gjashtë bijve, prej tyre një dëshmor.
Mirënjohja për Mujajt, edhe formalisht po shënjohet, në mesin e shtëpive atdhetare të kryeqendrës e më gjerë.
Sot, ne me respekt, kujtojmë gjithë ato qindra takime me shokë nga të gjitha trojet tona, qindra net pa gjumë, debate e përgatitje, shoshitje të ideve dhe vendime për aksione, për aftësime teorike e përimtime të rrjedhave e kaheve të qëllimit tonë, çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.
Kujtojmë sot, me nderim, gjithë ato emocione për sukseset e aksioneve tona kundër okupatorit, deri te lotët dhe dhimbjen për shokët që binin heroikisht në vijën e parë të rezistencës.
Kjo shtëpi e Familjes Muja, ishte më shumë se shtëpi. Ishte epiqendër e zhvillimeve të rëndësishme për gati tri dekada, duke ofruar besën dhe besnikërinë si elementin e parë për atdhetarët që godisnin armikun dhe gjenin strehën e sigurt, në kohën e pakohë që kishte krijuar armiku me përgjime, përndjekje, burgosje e likuidime.
Kjo shtëpi, ishte vendstrehim për shokët që do ta marrin përgjegjësinë për çlirimin e Kosovës, të Bacit Adem e deri te brezi i Fehmiut, të celulave të para të UÇK-së dhe gjeneratës tonë, shokëve që disa janë heronj e disa padrejtësisht në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e shokët tjerë.
Feha vinte në këtë shtëpi te nipi, lidhja jonë e gjakut na afroi me këtë shtëpi edhe me idealet që mbante dhe lartësonte familja Muja. Nipi ynë Dini me gjashtë bijtë e tij, pritnin e përcillnin pa nda, veprimtarët dhe çlirimtarët, andaj, kjo pllakë, i takon me meritë.
Kjo pllakë le të shërbejë për gjeneratat e reja dhe ato që do të vinë për të dëshmuar se shtëpitë si ajo, janë burim i pashtershëm atdhetarie,
Dëshmi se sa herë kombi është në rrezik, shtëpitë si ajo, bëhen kala!
Sot, vendi i shtëpisë së Familjes Muja është më i bukur se dje.
Faleminderit të gjithë të pranishmëve, faleminderit Shoqëri Lëvizja!