Xhevë Lladrovci, njëra nga luftëtaret e para të UÇK-së, sot në ditëlindjen e saj është kujtuar nga kunati Ramiz Lladrovci me shumë krenari.
”Dëshiroj t’i kujtoj 1392 fëmijë që gjatë luftës së Kosovës dhanë jetën për Kosovën. Ta uroj ditën e fëmijëve, çdo fëmije në Kosovë dhe t’iu uroj suksese. Sot është edhe ditëlindja e gjeneralmajor të UÇK-së, heroinës sonë, kunatës sime Xhevë Lladrovci, e cila më ka bërë të jem shumë krenar”.
”Fehmiu dhe Xheva, sikur njëri të binte në betejë dhe tjetri të mos ishte në atë betejë, jam shumë i sigurt, jo vetëm unë por të gjithë ata njerëz që i kanë njohur këto dy figura kishin për ta besuar, që njëri do të shkonte dhe do të binte krah për krah, pra rënia e tyre nuk është menduar ndryshe përveçse rënie krah për krah për lirinë e Kosovës”, tha Lladrovci në Rubikon të Klan Kosovës.
Lladrovci tutje, në Rubikon me Adriatik Kelmendin, njoftoi se së shpejti do të ribotohet libri për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, i shkrimtarit Bedri Islami.
”Ata e kanë deklaruar mijëra herë, e kanë deklaruar edhe me letërkëmbimin që e kanë pasur kur Fehmiu ishte në burg, të cilat tani janë edhe libër, e librin do ta ribotojmë me disa përmirësime dhe do t’i largojmë disa pjesë të tekstit, të cilat kanë hy ndoshta padrejtësisht ose nga pakujdesia, por që do të jetë prapë një libër i dashur për gjithë shqiptarët kudo që janë”.
Krahas ribotimit të librit, dëshmorët Fehmi e Xhevë Lladrovci do të përkujtohen edhe me shtatore në qytetin e Vlorës.
”Ne presim që shumë shpejt edhe shtatorja e Fehmiut dhe Xhevës të vendoset në Vlorë, ku deputetët e parlamentit shqiptar janë dukë i bërë përpjekjet e fundit për ta siguruar vendin në qytetin e Vlorës, aty ku edhe është kërkuar që të vendosen këto dy shtatore”, tha Lladrovci.