Me rastin e 40 vjetorit të rënies heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka theksuar se ata “po shkruanin një faqe të re të historisë që do të ndiqej deri në çlirimin e vendit”.
“Ata e konfirmuan në atë kohë acari se liria jonë kalonte nëpër grykën e armëve tona”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë në fb:
Para 40 vitesh, Kodra e Trimave do të bëhej fushëbetejë në mes të dy kreshnikëve të paepur dhe okupatorit. Ishte ditë ku Rexhep Mala e Nuhi Berisha po shkruanin një faqe të re të historisë që do të ndiqej deri në çlirimin e vendit.
Ata e konfirmuan në atë kohë acari se liria jonë kalonte nëpër grykën e armëve tona. Rexhepi e Nuhiu u bënë pishtar për rrugën me sakrifica, rrugë në të cilën u nisën mijëra bija dhe bij më të mirë të kombit.
Ishte rruga e çlirimit, rrugë e një epopeje të lavdishme që më vonë do të njihej si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi jetës dhe veprës së heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha!