Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas deklaratave të fundit të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetit Abelard Tahiri, duke i quajtur ato të papranueshme për qytetarët e Drenasit.
“Drenasi është kampion i performancës komunale, vazhdojmë! Deklaratat e fundit të Memli Krasniqit dhe Abelard Tahirit, lidhur me qytetarët e komunës së Drenasit, janë për keqardhje, hamendjet me shpifje janë të padenja për liderë të subjektit shtetformues e shtetndërtues,” ka thënë Lladrovci.
Ai ka kujtuar se pas fyerjes me “Dadën Razë” dhe votimin “38% symbyllur” për qytetarët e Drenasit, tash shpifjet po kalojnë në një tjetër nivel.
“Më 12 Tetor do ta shihni forcën e moralin e qytetarëve të Drenasit, të cilët nuk e durojnë as fyerjen, e as nënçmimin,” ka shtuar kryetari.
Lladrovci ka theksuar se vota e qytetarëve “Për Drenasin Kampion” është votë për qeverisje të mirë, transparente e llogaridhënëse, si dhe votë kundër, siç tha ai, “bedelëve e keqbërësve”.
“Drenasi është zemra e Kosovës!”, përfundoi ai.