Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar kundër deklarimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke theksuar se “mungesa e liderëve tanë nuk është as e ndershme e as njerëzore të bëhet pjesë e diskutimit dhe narrativës ditore politike, aq më pak e fërkimeve pozitë-opozitë”.
“Keqpërdorimi i kontekstit të mesazheve të mia politike me qëllim të lëndimit të PDK-së nga ana e deputetit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, është mjerim. Ai përzgjodhi çfarë i pëlqeu në intervistën time dhe heshtë për kritikat e mia ndaj qeverisjes së tij dhe dëmet që ai po ia bën shtetit”, ka cekur Lladrovci.
Postimi i Lladrovcit në fb:
Kosova, institucionet e shtetit, vendet aleate dhe miqtë, PDK si konstanta e shtetit, atdhetarët dhe familjet e heronjve tanë të luftës dhe paqes e ndjejnë mungesën e Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve.
Mungesa e liderëve tanë nuk është as e ndershme e as njerëzore të bëhet pjesë e diskutimit dhe narrativës ditore politike, aq më pak e fërkimeve pozitë-opozitë. Hashimi me shokë e krijuan historinë e re të Kosovës, histori që trashëgoi rrugën e Skënderbeut dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Beteja lokale politike në Drenas as nuk e pasqyron as prezanton mosbesimin ndaj liderit të PDK-së, Memli Krasniqit. Për më keq, keqpërdorimi i kontekstit të mesazheve të mia politike me qëllim të lëndimit të PDK-së nga ana e deputetit dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, është mjerim. Ai përzgjodhi çfarë i pëlqeu në intervistën time dhe heshtë për kritikat e mia ndaj qeverisjes së tij dhe dëmet që ai po ia bën shtetit.
Beteja për drejtësi po vijon në Hagë, dhe pres që heronjtë tanë të luftës dhe paqes të kthehen të pafajshëm, ndërsa ajo betejë titanike, është e turpshme të keqpërdoret për hesapet e politikës aktuale, aq më pak të merren nëpër gojë nga ai që e kishte besimin e shumicës së qytetarëve, ndërsa tashmë e ka humbur.
Jeta ime është e gërshetuar me Sami Lushtakun gati 35 vjet dhe asgjë nuk heq nga ajo, raportet tona, fare nuk ndikojnë në rezultatet shembullore të PDK-së në Drenas e Skenderaj e as në nivelin qendror. Memli Krasniqi, si kryetar deri më tani ka dëshmuar se është personalitet i kontinuitetit, unitetit dhe fitoreve.
Po të mundja, çdo ditë do t’i takoja heronjtë e luftës dhe paqes, sepse do të flisja me historinë!
https://www.facebook.com/share/p/16vu2N6L1F/?mibextid=wwXIfr