8.5 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Lladrovci në Ditën e Çlirimit të Drenasit: Gëzuar ditën më të çmuar!

- Advertisement -

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përshkruar aktivitetet e sotme, lidhur me Ditën e Çlirimit të komunës së Drenasit, ku mori pjesë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, asamblistët e Asamblesë komunale dhe drejtuesit lokal, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe mysafirë të shumtë.

Z. Lladrovci, në Seancën solemne kushtuar Ditës së Çlirimit të Drenasit, në Asamblenë komunale të Drenasit, ka mbajtur këtë fjalë rasti:

Të dashur Asamblistë të Asamblesë komunale të Drenasit,
I nderuari kryesues i Kuvendit z Hajdari,
I nderuar nënkryetar i komunës z. Shala, të nderuar drejtor,
Të dashur prind të dëshmorëve, familjar, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Përfaqësues të bashkësive fetare,
Motra e vëllezër, Zonja e zotërinj, gjithë ju të pranishëm,

Ju falënderoj për praninë Tuaj, në këtë seancë solemne të shënimit të Ditës së Çlirimit të komunës tonë.
Mirë se keni ardhur në vatrën e rezistencës shekullore ndaj okupatorit serb, mirë se vini në djepin e UÇK-së!
Mirë se keni ardhur sot, për të shënuar së bashku në Seancën solemne të Asamblesë komunale, 23 vjetorin e çlirimit të komunës së Drenasit!
Për këtë datë më të rëndësishme, të komunës tonë dhe qytetarët e Drenasit, kam ftuar tre krerët më të lartë të Republikës së Kosovës dhe krerët e partive politike pa dallim.
Për shkaqe të ndryshme, nuk kanë mundur të vinë të gjithë ata që i kam ftuar. Prioritet janë agjendat institucionale, për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit, si amanet që na lanë dëshmorët dhe martirët e kombit.
Por, neve na mungojnë edhe Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexhepi, Hysniu, Nasimi e Salihu, që padrejtësisht mbahen në Hagë. Edhe kjo është sakrifica e tyre për fuqizimin e shtetit tonë dhe të ardhmes brenda vlerave euro-atlantike.
Nga kjo foltore, dua të shpreh nderimin e përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e çlirimit të vendit, në rend të parë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantin legjendar Adem Jashari.
Në këtë datë të jashtëzakonshme të komunës tonë, 14 qershori, shënoi epokën më të ndritshme për të gjithë qytetarët, çlirimin nga okupatori serb me sakrificën mbinjerëzore.
Lufta jonë ishte mbinjerëzore, sepse, ishim të vetëdijshëm cilin kishim armik, forcën e tij. Por, vullneti ynë, ishte mbi çdo mjet e teknikë ushtarake armike.
Ne ishim gati, të gjithë të vdisnim e të mos nënshtroheshim.
Ne ia kishim dhënë besën Adem Jasharit se nuk do të ndaleshim deri në çlirimin e Kosovës tonë të dashur.
Vendosmëria jonë për liri, ishte aq e madhe sa shkundi nga dremitja kancelaritë evropiane dhe nxiti aleatin tonë jetik, Amerikën, të vihej ushtarakisht në anën e drejtësisë.
Amerika, ishte shpëtimtari ynë, nga Presidenti Wilson, e deri te Presidenti Klinton, të cilit i atribuohet historia e urdhrit për sulm ndaj caqeve që kryenin masakra ndaj popullatës civile.
Por, ishim ne që u vumë të parët nga burgjet shekullore, në vija të sulmit, në flakë baroti e fyt më fyt me armikun.
Ishim ne që kaluam kufij të ngarkuar me armatime, pastaj dolëm maleve edhe me një kallash apo pushkë gjuetie, por nuk u ndalëm.
Ishin nënat tona që derdhën lumenj me lot, ishin motrat tona që na shëruan plagët, ishin baballarët tanë që varrosën bijtë e bijat e veta.
Mërgata jonë u vu në lëvizje dhe me mijëra djem e vajza nga Evropa dhe Amerika u nisën për Kosovën martire, deri në çlirim.
Ishte gjaku, djersa dhe loti ynë, për liri.
Ishim ne që paguanim çdo çmim për liri.
Kjo vendosmëri u shpagua.
Bota e pa sa e çmuar ishte liria për ne. Na ndihmoi.
Përjetësisht falënderues për NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtet tjera demokratike që na ndihmuan.
Por, falënderimi më i madh që mund ta bëjmë, sot e gjithmonë, janë nderimet për nënat tona, janë për baballarët, për motrat dhe vëllezërit tanë, për bashkëshortet tona e bijat e bijtë tanë, për shokët dhe shoqet që çlirimin e bënë qëllim të vetëm.
Falënderim për familjet e dëshmorëve që ngritën bija e bij të denjë dalëzotës të kombit,
Falënderim për invalidët, veteranët dhe përkrahësit e UÇK-së, falënderim për mësuesit që mbollën në shpirtin e rinisë tonë ndjenjën e lirisë dhe atdhedashurisë, nderim për çdo veprimtar e atdhetar që në çfarëdo mënyre i rezistoi armikut dhe ndihmoi çështjen e drejtë, çlirimin e vendit.
Të nderuar të pranishëm,
Ne jemi mirënjohës, do të jemi mirënjohës përgjithmonë për përkrahësit tanë për liri, por, pa sakrificën e bijave dhe bijve më të çmuar të atdheut, asnjë ndihmë për çlirim nuk do të mjaftonte.
Kurorat dhe lulet e freskëta që i vumë në Shesh dhe në dhjetëra varreza me mijëra dëshmorë e martirë në komunën tonë, është dëshmia e dashurisë tonë për atdhe.
Prandaj, kjo ditë është dita më e çmuar për të gjithë neve.
Ju falënderoj të gjithëve për praninë Tuaj që çmoni Ditën e Çlirimit të Drenasit.
Asamblistë, mysafir e qytetarë të komunës së Drenasit, gëzuar Dita e Çlirimit!
Ju faleminderit!

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit