Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike brenda PDK-së dhe pas publikimeve që ai i quan të porositura. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Lladrovci ka kërkuar nga qytetarët qetësi dhe dashuri, ndërsa ka lëshuar një mesazh të fortë për ata që po tentojnë të ndikojnë në opinion me prapaskena.
“Qytetarë të nderuar, pas shumë mesazheve për veprim ndaj situatës së krijuar me postime të porositura, kërkoj nga të gjithë qetësi dhe dashuri”, ka shkruar ai në hyrje të reagimit
Ai kujton se edhe në zgjedhjet e kaluara, të njëjtët individë ishin bashkuar kundër tij, por ai arriti t’i mposhtë dhe beson se do ta bëjë përsëri.
“Bedelët me letra e pa letra, me ndonjë përjashtim, në zgjedhjet e kaluara ishin bashkë kundër meje. I munda dhe i mund sërish. PDK dje, PDK sot, PDK gjithmonë”, deklaron ai me vendosmëri.
Lladrovci shton se tashmë kanë dalë hapur disa prej tyre, duke theksuar se qytetarët ua shohin fytyrat dhe ua njohin veprat.
“Tash dolën publikisht dhjetëshja e parë, qytetarët ua shohin fytyrat por edhe ua dinë veprat, asnjë maskë nuk do t’i ndihmojë. Me qytetarët do t’ua tregojmë vendin, keqbërësve dhe bedelëve. Vazhdojmë, +4!”, përfundon reagimin e tij kryetari Lladrovci.
Ky mesazh vjen në një kohë kur brenda PDK-së në Drenas kanë nisur zhvillime të brendshme të tensionuara, të cilat po ndiqen me shumë interes nga opinioni publik.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Qytetarë të nderuar,
Pas shumë mesazheve për veprim ndaj situatës së krijuar me postime të porositura, kërkoj nga të gjithë qetësi dhe dashuri.
Bedelët me letra e pa letra me ndonjë përjashtim, në zgjedhjet e kaluara ishin bashkë kundër meje. I munda dhe i mundi sërish. PDK dje, PDK sot, PDK gjithmonë.
Tash dolën publikisht dhjetëshja e parë, qytetarët ua shohin fytyrat por edhe ua dinë veprat, asnjë maskë nuk do ti ndihmojnë.
Me qytetarët do t’ua tregojmë vendin, keqbërësve dhe bedelëve. Vazhdojmë, +4!