Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot, me krerët e shtetit, presidenten osmani, kryeparlamentarin Konjufca dhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule pranë varrezave në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, raporton Scanner.
Lladrovci ka deklaruar se “Krimet e kryera në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, ende nuk janë ndëshkuar, përgjegjësit ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Dhimbja jonë do të lehtësohet kur drejtësia do të vihet në vend për urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e këtyre masakrave”.
Postimi i Lladrovcit:
17 Prilli i vitit 1999, është datë që shpërfaqi tërë mizorinë e ushtrisë serbe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër kundër qytetarëve të paarmatosur. Këtu u kryen masakra që dëshmojnë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, dëshmon urrejtjen patologjike të regjimit serb në ikje kundër shqiptarëve.
Në përkujtim të kësaj dite të tmerrshme, kemi bërë homazhe pranë varrezave të martirëve dhe vendit ku regjimi serb kreu krimet, me presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Dhimbja e familjarëve dhe të gjithë neve është e madhe. Kurrë nuk do ta harrojmë sakrificën e qytetarëve tanë, përball makinerisë vrastare serbe. Nuk do të harrojmë qëndresën shembullore të çdo qytetari.
Krimet e kryera në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, ende nuk janë ndëshkuar, përgjegjësit ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Dhimbja jonë do të lehtësohet kur drejtësia do të vihet në vend për urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit e këtyre masakrave.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër!