34.1 C
New York
Friday, July 25, 2025

Buy now

Lladrovci kritikon procesin e përzgjedhjes së kandidatit të PDK-së për Drenas: “Po i bëjnë vend bedelëve të vitit 2021”

- Advertisement -

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës si po zhvillohet përzgjedhja e kandidatit për kryetar komune nga Partia Demokratike e Kosovës, duke e quajtur procesin të padrejtë dhe të orkestruar nga individë që dikur i shërbyen partive kundërshtare.

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Lladrovci ka kritikuar vendimin e Kryesisë së PDK-së për të vendosur për kandidaturat për disa komuna përmes votimit të fshehtë, pa u konsultuar me degët lokale dhe pa zhvilluar zgjedhje të brendshme nëpër degë.

“Dega e PDK-së në Drenas, ndoshta e vetmja, ka shprehur gatishmëri që pas vitit 2021 të organizojë zgjedhje të brendshme. Por përkundër kësaj, Kryesia vendosi të mos ketë zgjedhje në asnjë degë, as në ato me kryesi të emëruara,” ka theksuar ai.

Lladrovci ka ngritur pyetje serioze për legjitimitetin e 43 anëtarëve të Kryesisë së PDK-së që do të votojnë për kandidatin për Drenas, duke vënë në dyshim njohurinë e tyre për realitetin lokal dhe punën komunale në këtë komunë.

“Cili është kriteri për të votuar? A po votojnë për kryetarin e qytetarëve të Drenasit apo për Kryetarin e pëlqyer të Kryesisë së Partisë?”, ka pyetur ai, duke sugjeruar se procesi është i dirigjuar nga individë që në zgjedhjet e kaluara kanë vepruar kundër PDK-së.

Lladrovci ka akuzuar drejtëpërdrejt ish-anëtarë të partisë që, sipas tij, e kontestuan udhëheqjen e degës që nga viti 2021, dhe më vonë e braktisën PDK-në për të krijuar subjekte të tjera politike.

“Ata që e shanë partinë, që udhëhoqën me profile të rreme, që shkaktuan dëme milionëshe për projekte zhvillimore, sot janë rikthyer si ‘strategë’ dhe po përzgjedhin bedelin e ri,” ka thënë ai.

Sipas Lladrovcit, votimi i fshehtë nuk është problem në vetvete, por motivet që qëndrojnë pas tij janë të dyshimta dhe në funksion të dobësimit të legjitimitetit të qeverisjes lokale në Drenas.

“E kuptoj se më shumë se për kandidaturën time, bëhet fjalë për integritetin e anëtarëve të Kryesisë. Disiplinën partiake, unë e kam çmuar më shumë se anëtarët e emëruar të Kryesisë,” ka deklaruar Lladrovci.

Ai gjithashtu e ka konsideruar veten si një nga kryetarët më të suksesshëm të komunave të udhëhequra nga PDK, duke theksuar se suksesi i tij është dëshmuar nga indikatorët zyrtarë të performancës komunale dhe nga vlerësime ndërkombëtare.

“Jam kryetar kampion në performancë sipas 119 treguesve. Para se të vendosin për Drenasin, le të pyesin pse komunat e tyre nuk janë kampione,” ka thënë ai, duke shtuar se përgjigjen më të qartë do ta japin qytetarët e Drenasit në zgjedhje.

Në fund të deklaratës, Lladrovci i ka dërguar një mesazh të qartë Kryesisë së PDK-së:

“Po e përsëris: Dje, sot, nesër, PDK. Nuk ka bir nane që mund të më largojë nga PDK dhe vizioni i heronjve tanë të luftës dhe paqes.”

Lladrovci ka bërë të qartë se është i gatshëm për garë, por jo për kompromise me bedelët dhe skenarët e vitit 2021 që, sipas tij, synojnë të rikthejnë dorën e vjetër mbi Drenasin.

Të ngjashme

Të fundit