Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, priti sot në takim, Faruk Beqirin, drejtorin e kompleksit industrial “Feronikeli” si dhe Shpend Gudaqin, udhëheqës i Zyrës për Ndërlidhje me Komunitetin, me ç’rast, ka deklaruar se “nuk ishte prej atyre takimeve ku flitet për suksesin ekonomik e rriten e kompanisë por për tu njoftuar me planet e kompanisë për ndërprerje afatgjatë të punës”.
“Përkrahja institucionale për vazhdimin e punës së furrës elektrike dhe prodhimin në përgjithësi në “Feronikel”, është e domosdoshme për ndaljen e humbjeve, njëkohësisht, ruajtjen e kuadrit, gjë e cila është në duar të nivelit qendror. Uroj të gjenden rrugë për vazhdimin e punës në këtë gjigant të industrisë së Kosovës”, ka deklaruar Lladrovci.
Postimi i plotë i Lladrovcit në fb:
Takimi me Faruk Beqirin, drejtor i “Feronikelit” dhe Shpend Gudaqin, udhëheqës i Zyrës për Ndërlidhje me Komunitetin, nuk ishte prej atyre takimeve ku flitet për suksesin ekonomik e rriten e kompanisë por për tu njoftuar me planet e kompanisë për ndërprerje afatgjatë të punës.
Drejtori më njoftoi se për shkak të çmimit të papërballueshëm të energjisë, çmimit të ulët të nikelit, kompania për dy vite ka pasur humbje të mëdha dhe të vazhdueshme, por përkundër situatës së rëndë ka mbajtur punëtorët e angazhuar pjesërisht.
Tani kanë marrë vendim për zvogëlimin e numrit të punëtorëve me orar të plotë dhe ftohjen e furrës elektrike, një aset kyç në operacionet e prodhimit. Injorimi i tërësishëm nga niveli qendror i këtij gjigandi që fati e deshi të jetë në Drenas, ka shtyrë këtë kompani që të hartojë skenarë të ndryshëm.
Fatkeqësisht, asnjëri nga skenarët nuk përfshin funksionalizimin e plotë të Kompanisë e cila është punëdhënëse për 814 punëtorë të angazhuar drejtpërdrejt në kompani. Kufizimet e reja do të prekin edhe shumë kompani të cilat kanë ofruar shërbime deri më tani, rrjedhimisht dhe për qindra punëtorë tjerë të cilët përmes kontratave me kompanitë e kontraktuara tjera sigurojnë mirëqenien e familjeve të tyre.
Ne si komunë, kemi shqetësim pse kjo kompani nuk ka gjetur përkrahjen e duhur nga niveli qendror. Për dallim nga qeveritë e rajonit të cilat planifikojnë të subvencionojnë kompanitë simotra të “Feronikelit”, Qeveria e Kosovës ka treguar injorim të plotë e po ashtu edhe bordi i KPMM-së për licencat e kompanisë. Gjithsesi, me mirëkuptim, kërkova që para se të pushojnë veprimtarinë, të mbulojnë skorien e cila paraqet rrezik për ambientin dhe shëndetin publik.
Shkurtimet e tilla do prekin mirëqenien e qytetarëve dhe do rrisin papunësinë në komunën tonë. Si pasojë e kësaj edhe më shumë do të rritet shpërngulja e punëtorëve të kualifikuar, gjë e cila do paraqiste vështirësi shtesë në rast të rifunksionalizimit të kompanisë.
Andaj, përkrahja institucionale për vazhdimin e punës së furrës elektrike dhe prodhimin në përgjithësi në “Feronikel”, është e domosdoshme për ndaljen e humbjeve, njëkohësisht, ruajtjen e kuadrit, gjë e cila është në duar të nivelit qendror. Uroj të gjenden rrugë për vazhdimin e punës në këtë gjigant të industrisë së Kosovës!
https://www.facebook.com/share/16LcyyWna8/?mibextid=wwXIfr