Kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci publikon fjalimin e tij nga Mbledhja e Këshillit Drejtues të PDK-së, ku jep qëndrimin e tij për zgjedhjet lokale dhe çështje tjera me rëndësi për këtë subjekt politik.
“Dega e PDK-së në Drenas po përgatit platformën për zgjedhjet lokale, rezultatet e shkëlqyera të 9 shkurtit, do t’i përsërisim”, ka deklaruar ai.
Postimi i plotë i tij:
Në Mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, kam mbajtur fjalë rasti e cila ka zgjuar interesim te aktivistët dhe anëtarët e degës së PDK-së të cilët nuk kanë qenë të pranishëm, andaj, po e publikoj të plotë.
“Sot, para jush, me një fjalë të shkurtër, do t’ju drejtohem në këtë Mbledhje të Këshillit Drejtues, shumë të rëndësishëm për të ardhmen e zgjedhjeve lokale dhe atyre qendrore.
Këtu në xhep e kam një fjalë tjetër rasti, të cilën e kisha menduar nga njoftimi për këtë Mbledhje, por, mbrëmë, vendosa të bëj fjalim tjetër.
Kur e mora besimin për ta udhëhequr garën për Komunën e Drenasit, më 2016, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit ju pata premtuar se do t’i bëj krenar me qeverisjen e mirë. Jam i lumtur se e kam realizuar premtimin. Gara e performancës komunale e cila realizohet për shtatë vjet rresht, gjashtë herë jam shpallur kampion dhe një herë në vendin e tretë për qeverisje të mirë, transparente dhe llogaridhënëse.
Nuk e besoj se ju këtu nuk keni dëgjuar se Drenasi është gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë, por, jo nga të gjithë kam pranuar përgëzime edhe pse ky sukses është jo vetëm imi, kabinetit dhe administratës së komunës së Drenasit, është sukses edhe i qeverisjes së PDK-së.
E kam mbajtur fjalën, edhe i kam bërë krenar udhëheqësit tanë të luftës e paqes, po e bëj krenare PDK-në.
Për këtë, jo pak, jam po ashtu krenar.
Pres të respektohen parimet e proklamuara nga Kadri Veseli për kandidaturat e kryetarëve të komunave.
Një pjesë e mirë e shokëve të mi të vjetër, të kohës së veprimtarisë atdhetare nga mesi i viteve ‘80, fillimet e UÇK-së dhe themelimi i PDK-së, e dinë se mua më pëlqejnë sfidat.
Më pëlqejnë ballafaqimet dhe karakteri im veçohet kur ka rreziqe, sepse, kam lindur e jam rritur në to.
Ne, PDK, jemi parti e krijuar nga drejtuesit e ushtrisë tonë të lavdishme çlirimtare. Ne kemi vizion dhe guxim për të bërë më të mirën për qytetarët tanë.
Prandaj, jemi të vendosur për fitore dhe normalisht, na pret fitorja, jo vetëm në Drenas, por në të gjitha komunat ku aktualisht qeverisim dhe në komunat që më parë i kemi qeverisur.
Për të arritur fitore, ne po punojmë dhe ju ftoj për unitet edhe në zgjedhjet lokale që na presin. Programi dhe organizimi i fushatës së kaluar në degën tonë, mund të shërbej si shembull për degët tjera.
I kemi hapur dyer e dritare për anëtarë të rinj, i kemi hapur zemrat për të gjithë ata që i besojnë partisë së fitoreve për Republikën e Kosovës, për partinë e cila është aksionare kryesore e çdo të arriture të shtetit tonë.
Dega e PDK-së në Drenas po përgatit platformën për zgjedhjet lokale, rezultatet e shkëlqyera të 9 shkurtit, do t’i përsërisim.
Me sukses po afrojmë qytetarë që janë të bindur në punën tonë. Ndonjëherë nuk folim mirë me gramatikë, por, na punojmë shkëlqyeshëm.
Drenasi ka kapacitete njerëzore e profesionale për të qeverisur jo vetëm Drenasin, por edhe shumë më shumë.
Kush ia do të mirën partisë, le ta len egon në shpi. Ju faleminderit!”
https://www.facebook.com/share/p/1AfS3ocdU3/?mibextid=wwXIfr