Lidhur me aktualitetin politik, Ramiz Lladrovci ka publikuar një opinion në rrjetin social, me ç’rast ka deklaruar se “dukuria e shëmtuar e krijimit të karrierës politike duke fyer Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhën, nga kandidatët që për liri nuk dhanë asgjë, është letërnjoftim i dalë boje”.
Opinioni i plotë i Lladrovcit në rrjetin social:
Fushata si zakonisht ka tendenca të devijimit të së kaluarës për poenë politik
Historia jonë e re, ka mjaftë dëshmitarë, të cilët e njohin fillimin dhe realizimin e qëllimit madhor, çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë. Në fushatë, disa dëshmitarë me deficite, apo pretendentët për të marrë copë historie dhe përvetësimin e akteve heroike, i duan të materializuara në votë. Kur këto tendenca nuk “pinë ujë”, kalon fushata, mashtruesit me tregime e dezinformata heshtin.
Kam qenë cak i sulmeve të ulëta gjatë fushatës së vitit 2021, sikur kam qenë “dëshmitar i Hagës”, pasi u dëshmua e kundërta, autorët e këtyre dezinformatave, në zgjedhjet e vitit 2025, zbuluan dezinformatën e re, sikur jam përçarës dhe në shërbim të një partie tjetër. Kjo nuk “ndezi” dhe dështuan turpshëm të zgjedhje.
Fushata për zgjedhjet nacionale po prodhon sërish devijime, ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Kur të përfundojë kjo fushatë, shpifjet do të bien dhe autorët e tyre do të duhej të mbesin të turpëruar së paku deri në fushatën tjetër.
Është mjerim që një parti politike, përmban emra me prapavijë të fuqishme atdhetare, por të cilët nuk arrijnë të bëhen pjesë e Parlamentit të Kosovës. Shembull janë dy emra emblematik, Adem Demaçi dhe Ukshin Hoti. Në zgjedhjet e vitit 2019, në listën e PDK-së, Shqiptar Demaçi garonte me numrin 55, ndërsa Andin Hoti, numrin 29, flet qartë se si i trajtonte subjekti im politik. Asnjëri nuk u bë deputet.
Sot, kur Andin Hoti garon me një tjetër subjekt politik, merr komente negative për angazhim, ndërsa, kur garoi për PDK-në, ai nuk u trajtua si personalitet e profil me vlerë në PDK. Komentet ndaj Andinit, janë të paarsyeshme, ashtu sikur ishin të paarsyeshme komentet ndaj meje në fushatën e vitit 2021 dhe 2025.
Është për habi, kur edhe pas 26 vjetëve dëgjojmë “tregime të padëgjuara” nga njerëz që kërkojnë vota. Kjo nuk flet shumë për histori të pa treguar, por, flet për njerëz që duan poenë politik. Njëjtë e konsideroj të gabuar kur dikush synon t’i mbaj ligjërata Bekim Jasharit për atdhetarizëm. Aq më pak t’i tregojnë histori ata që katër a pesë vjet para Epopesë së UÇK-së nuk e kanë parë Komandantin legjendar.
Dukuria e shëmtuar e krijimit të karrierës politike duke fyer Hashimin, Kadriun, Jakupin e Rexhën, nga kandidatët që për liri nuk dhanë asgjë, është letërnjoftim i dalë boje. Për më keq, edhe ata që i njohin heronjtë tanë të luftës e paqes dhe i përmendin për poenë politik, apo edhe flasin në emër të tyre, janë me mungesa të mëdha në shumë drejtime.
Fushata nuk do të duhej të dilte jashtë kontrollit për vota. Fushata kalon dhe fjalët e liga e të pamenduara mbesin si dëshmi e nivelit të shpifësve. Jemi me fat që i takojmë gjeneratës së shtetformimit dhe shtetndërtimit, ku patjetër duhet të respektohet mendimi i tjetrit, anëtarësimi në subjekte të ndryshme apo ndryshim i bindjes. Demokracia është vlerë e shtetit tonë, atë do forcuar me punë e vepra të mira.
Ky reflektim vije ndaj situatave të cilat i kam përjetuar unë dhe familja, gjatë dekadave të fundit. Zgjedhjet kur të kryhen, shpifësit dhe nxitësit e dezinformatave paraqiten si të mirë, duke theksuar se ashtu e kërkon fushata, ndërsa mbrehin sërish gjuhën dhe presin të godasin në fushatën e ardhme.
https://www.facebook.com/share/p/1GozBV9Zvd/?mibextid=wwXIfr






