10.8 C
New York
Thursday, March 6, 2025

Buy now

Lladrovci: Epopeja e UÇK-së e bëri konkrete lirinë e Kosovës, e bëri Kosovën shtet

- Advertisement -

Me Seancë solemne, Kuvendi i Drenasit shënoi përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, duke shprehur nderim për Jasharajt në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin si dhe dëshmorët e martirët e kombit.

Epopeja e UÇK-së, në historinë e kombit, përbën një nga faqet më të ndritura pas historisë së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ka shkruar kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, në fjalën e tij.

Postimi i plotë në fb:

Me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së, të 5, 6 e 7 marsit, në Seancën solemne të Kuvendit të Drenasit, mbajta këtë fjalim:

Epopeja e UÇK-së, në historinë e kombit, përbën një nga faqet më të ndritura pas historisë së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Kjo Epope, e filluar në Prekazin historik, në krye me Komandantin legjendar Adem Jasharin, me Bacën Shaban dhe Hamzën me Jasharajt legjendar, janë historia të cilën e bëri konkrete lirinë e Kosovës, e bëri Kosovën shtet.
Për të ardhur te kjo ditë, është një shekull përkushtim kundër okupatorit serb. Ishin me qindra shekuj burgje, mijëra atdhetarë të vrarë.
Kësaj dite të Epopesë, i printe Komandanti legjendar Adem Jashari.
Për të ardhur te kjo ditë, ishte po ashtu, angazhim i një armate të kaçakëve me dekada, të atdhetarëve antikomunistë e deri te aktivitetet me dekada të rinisë shkollore e studentore e cila shpërndante libra, trakte, shkruante parulla dhe filloi me aksionet e para të armatosura.
Jo larg nga këtu, disa vite para Epopesë, Drenasi hyri në hartën e pikave të vlimit kundër okupatorit kur së pari te Stacioni i Autobusëve, në shtator të vitit 1992 dhe te hekurudha në maj të vitit 1993, iu dhanë goditje me pasoja të rënda për okupatorin dhe prishi rendin e atëhershëm të nënshtrimit. Ato ditë, u godit terrori shtetëror, duke dëshmuar se këtu ka dalëzotës të atdheut që e duan lirinë më shumë se jetën.
Për të ardhur te kjo ditë, ishin gjenerata të tëra që punuan dhe ëndërruan për luftën çlirimtare, dita erdhi si Epope, Epope që do ta sillte lirinë e Kosovës.
Epopeja hapi dyert për të gjithë atdhetarët kudo ndodheshin, ta bënin luftën e drejtë çlirimtare, luftën në pajtim me normat ndërkombëtare. I madh e i vogël u përfshi në çlirimin e vendit, me ushtarë, me armë, me bukë, strehim, shërim, mërgata u lëshuan me tërë mundësitë që i pati, për ti dalë ndihmë atdheut.
Komuna e Drenasit, në zemër e Kosovës, e dha provimin para historisë.
Të nderuar të pranishëm secili nga ju, me familjet e familjarët Tuaj, ka dhënë kontribut për çlirim dhe kjo na bën krenar. Të gjithë së bashku, sot, po japim kontribut që amaneti i dëshmorëve dhe martirëve të realizohet për sundim të ligjit, barazinë para ligjit, mirëqenien e secilit qytetar.
Në këtë ditë kur e shënojmë fillimin e Epopesë së UÇK-së, ne nuk i harrojmë vuajtjet e Kosovës për të arritur ditën e çlirimit, varrezat masive, terrorin dhe gjenocidin serb. Ne, në këtë ditë, kujtojmë më meritorët e lirisë tonë, dëshmorët dhe martirët tanë, familjet e tyre, invalidët dhe veteranët e UÇK-së.
Në këtë ditë, kujtojmë heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët që sot nuk janë fizikisht me neve, për të shënuar Epopenë e UÇK-së.

Të nderuar asamblistë,
Qytetarë të nderuar,
Zonja e zotërinj,
Shënimi i përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, le të shërbej për të nderuar njëri-tjetrin, për të kujtuar përkushtimin dhe kontributin e gjeneratave të tëra për çlirim, për të përkrahur dhe mbështetur arritjet e të rinjve tanë në të gjitha fushat, në shkencë, arsim, kulturë, sport dhe të bërit biznes.
E kemi obligim ta nderojmë përkushtimin e gruas, të zbatojmë barazinë gjinore dhe gjasat e mundësitë e barabarta. Fuqia e shtetit tonë nuk është e plotë pa gruan e emancipuar.
Sot, duke shënuar përvjetorin e Epopesë, të thellojmë nderimin për heronjtë, dëshmorët dhe martirët, përkushtimin e secilit kontribuues për Kosovën, për vlerat e shtetit tonë.
Të punojmë më shumë që shteti ynë sa më parë të integrohet në gjirin e shteteve demokratike me vlera euro atlantike. Në këtë synim me aleatët, na ndihmoftë Zoti.
Faleminderit!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari!

https://www.facebook.com/share/1QFZqG9oEU/?mibextid=wwXIfr

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit