Në një përballje të tensionuar në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar se ka qenë në dijeni për audio-incizimin e siguruar nga gazetari Lirim Mehmetaj që më 24 shtator, duke shtuar se materiali është “i prerë dhe i montuar”.
Lladrovci tha se është kontaktuar nga një gazetar i ekipit të Mehmetajt një javë më parë dhe se ai vetë ka kërkuar ta shohë transkriptin e bisedës para se të reagonte.
“Më ka thënë që e kemi një material kështu-kështu, audio-incizim, se ju e keni incizu, e keni obligim me incizu, është e drejtë. Edhe i kam thënë: si po pret me të dhënë përgjigje hipotetike unë pa e ditur për çka bëhet fjalë? A ma dërgon audio-incizimin edhe pyetjet? Edhe ma ka dërguar transkriptin,” tha Lladrovci.
Ai shtoi se pas marrjes së transkriptit, vetë e kishte bërë publik reagimin e tij, pa u trembur nga përmbajtja e incizimit.
“Kur ma ka dërguar transkriptin, unë e kam botuar vet, e kam publikuar vet. Pse? Sepse s’trembem prej asnjë fjale. Por kam thënë: audio-incizimi është i prerë, i sakatuar. Asnjë fjalë s’e kam mohuar, kam thënë se krejt janë fjalët e mia, por mungojnë edhe fjalë të tjera që unë kam folur. Është i prerë, është i montuar,” ka theksuar ai.
Kryetari i Drenasit shtoi se në takim kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë dhe se emrat e tyre i kishte dërguar te gazetari.
“Prandaj kam thënë që janë edhe katër vetë të tjerë, edhe me emra t’i kam dërguar te gazetari yt, edhe ti nuk e ke marrë mundimin fare me u marrë me të tjerët,” tha Lladrovci.
Në kundërpërgjigje, gazetari Lirim Mehmetaj u shpreh se është marrë me të gjithë personat e përmendur.
“Krejt i kemi pyetur, i kemi publikuar, po ashtu i kemi pasur në Vox Kosova, emër për emër, përveç njërit që s’kemi gjetur numrin,” tha Mehmetaj në studio.
Përballja e tyre në “Debat Plus” erdhi pas publikimit të audio-incizimit që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe politik në prag të zgjedhjeve lokale në Drenas.