Sot është mbajtur Mbledhja e Jashtëzakonshme e Kuvendit të Drenasit, e cila ishte me rëndësi për të përmbyllur brenda vitit kalendarik çështjen që kishte të bënte me Grantin e Performancës Komunale, e ku morën pjesë shumica e asamblistëve të PDK-së, të VV-së, të AAK-së dhe LDK-së, raporton Scanner.
Po ashtu, z. Lladrovci ka deklaruar se nga Ministri i MAPL, z. Elbert Krasniqi, mori konfirmimin se Komuna e Drenasit është përfitues i Grantit të Perfomancëas Komunale dhe së shpejti do të nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit.
Postimi i Lladrovcit në rrjetin social:
Sot, në Mbledhjen e Jashtëzakonshme të Kuvendit të Drenasit, miratuam tetë pika të rendit të ditës. Me këtë mbledhje, nga asamblistët u votua edhe pika e rendit të ditës që ishte kushti për të hyrë në garën për Grantin e Performancës Komunale.
Prania e shumicës së asamblistëve të PDK-së, të VV-së, të AAK-së dhe LDK-së për realizimin e kushtit për Grantin, më ka bërë krenar, sepse, interesi qytetar është më i madh se përkatësia politike.
Në këtë ditë shumë të suksesshme, dua të përgëzoj asamblistët e pranishëm dhe qytetarët që na japin përkrahje me vlerësime, kritika e sugjerime.
Dua t’ju njoftoj po ashtu se nga Ministri i MAPL, z. Krasniqi, mora konfirmimin se jemi përfitues të Grantit të Perfomancëas Komunale dhe së shpejti do ta nënshkruajmë Marrëveshjen e Bashkëpunimit.
Granti për Performancën Komunale ka rëndësi të madhe për qytetarin sepse, të gjitha projektet i prek dhe sheh në zbatim për mirëqenien e vet!