19.8 C
New York
Wednesday, September 17, 2025

Buy now

Lladrovci dhe KRU “Prishtina” përurojnë furnizimin me ujë të pijshëm në Vërboc dhe Shtuticë

- Advertisement -

 

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me nënkryetarin Arben Shala dhe bashkëpunëtorë të tjerë, ka pritur sot në takim kryeshefin ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, z. Arsim Fetahu, dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë.

Gjatë takimit, kryetari Lladrovci e informoi z. Fetahu për sfidat dhe pengesat me të cilat është përballur komuna në përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit, si dhe për investimet që tashmë janë realizuar në këtë drejtim. Nga ana tjetër, kryeshefi Fetahu shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me komunën në mënyrë që të përfundojnë me sukses projektet ekzistuese dhe të mundësohet furnizimi i rregullt me ujë të pijshëm në zonat ku tashmë është shtrirë rrjeti i ujësjellësit.

Pas takimit, nënkryetari Shala dhe kryeshefi Fetahu vizituan nga afër fshatrat Vërboc dhe Shtuticë, ku përuruan zyrtarisht fillimin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Gjatë ditëve në vijim, ekipet teknike do të kryejnë identifikimin dhe eliminimin e mundshëm të rrjedhjeve në rrjet, ndërsa Komuna dhe KRU “Prishtina” i bëjnë thirrje të gjitha familjeve në fshatrat Vërboc dhe Shtuticë që të përfundojnë procedurat për regjistrim dhe nënshkrimin e kontratave për shfrytëzimin e shërbimeve të ujësjellësit. Në të kundërt, kompania nuk do të jetë në gjendje të operojë në kushte të qëndrueshme financiare, dhe kjo mund të sjellë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.

Ndërkohë, pas testimit dhe përfundimit të defekteve në rrjet, kompania është angazhuar që të fillojë furnizimin me ujë të pijshëm edhe në fshatrat Terstenik dhe Pollzhë.

Po ashtu, është premtuar një vlerësim i gjendjes së rrjetit edhe në fshatin Krajkovë.

Aktualisht, punimet për zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe sigurimin e ujit të pijshëm janë duke u zhvilluar edhe në disa vendbanime të tjera të komunës. Pas përfundimit të projekteve dhe testimit të rrjetit, këto fshatra do të përfshihen gjithashtu në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Ky bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Komunës së Drenasit dhe KRU “Prishtina” synon të sigurojë që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë dhe të qëndrueshme në ujë të sigurt për pije.

Të ngjashme

Të fundit