Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me motrat, nipat e mbesat e heroit Fazli Grajçevci, ka bërë homazhe për nder të 60 vjetorit të vrasjes së heroit, njëherësh kanë bërë homazhe edhe me kryeministrin Kurti.
Nga ajo ditë, para 60 vitesh e deri në çlirimin e vendit nga okupatori serb, atdhetarët e kishin mostrën e qëndresës, idealit dhe përkushtimit atdhetar, ka shkruar Lladrovci.
Deklarata e plotë e Lladrovcit
Sot, me rastin e 60 vjetorit të vrasjes së mësuesit hero Fazli Grajçevci, bashkë me dy motrat, nipa, mbesa, familjarë të heroit dhe bashkëpunëtorë, kemi bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij qëndrestare.
Po ashtu, me familjarët e heroit Fazli Grajçevci, e pritëm për homazhe edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.
Kujtimi për mësuesin hero, lidhet edhe me kujtimet e Fehës i cili kishte qenë nxënës i heroit Fazli Grajçevcit kur policia e kishte prangosur në orën e mësimit, para nxënësve, akt që do të mbetej përgjithmonë në kujtesën e nxënësve të tij.
Po ashtu, axha im, tashmë dëshmor, mësuesi Jahir, ka pasur kujtime të paharrueshme si kolegë e mësues në shkollën fillore “Rilindja” në Dobroshevc.
Nga ajo ditë, para 60 vitesh e deri në çlirimin e vendit nga okupatori serb, atdhetarët e kishin mostrën e qëndresës, idealit dhe përkushtimit atdhetar.
Mësuesi hero, Fazli Grajçevci, la gjurmën e ndritur ndër breza. Lavdi jetës dhe veprës së tij heroike. I paharrueshëm është kujtimi për të!
https://www.facebook.com/share/oAzFAeW3QJZ1Ss1j/?mibextid=WC7FNe