8.8 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Lladrovci: 28 Nëntori është datë e bekuar e kombit tonë, gëzuar!

- Advertisement -

Me rastin e 28 Nëntorit, Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka theksuar se kjo datë, ka katër ngjarje që shënojnë kthesa historie, përbëjnë mbi gjashtë shekuj të gjallimit tonë, në tokën tonë, të popullit e kombit tonë.

“Këto katër ngjarje, shënojnë epokën e njohjes tonë me fuqinë e moralit tonë, me historinë dhe gjeografinë tonë, me jetën tonë, me rritën tonë”, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë i tij:

Për nder të 28 Nëntorit, pas vënies së buqetave me lule dhe homazheve për nder të dëshmorëve pranë Memorialit të Dëshmorëve në Marinë, janë vënë kurora me lule dhe janë bërë homazhe me grupe edhe pranë memorialeve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri (në dy vende), Tërdec, Gllobar, Terstenik I dhe II, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Vjetër (dy vende) dhe Nekoc.
Ndërsa në Seancën solemne të Kuvendit të Drenasit, kushtuar 28 Nëntorit, mbajta këtë fjalë rasti:
Gëzuar festa e 28 Nëntorit!
Ditë kur shënohet kthimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Krujë,
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë,
Ditëlindja e Komandantit tonë legjendar, Adem Jasharit, dhe
Shfaqjen e parë në publik të UÇK-së,
Gëzuar!
Këto katër ngjarje, shënojnë epokën e njohjes tonë me fuqinë e moralit tonë, me historinë dhe gjeografinë tonë, me jetën tonë, me rritën tonë.
Këto katër ngjarje shënojnë kthesa historie, përbëjnë mbi gjashtë shekuj të gjallimit tonë, në tokën tonë, të popullit e kombit tonë.
Në këto katër shtylla, sot, shqiptarët kudo jetojnë, janë krenar me to, sepse, mbi to i kemi vendosur krenarinë tonë, përkushtimin tonë, mbi to, qëndron fort historia jonë, qëndrojnë të gjallët, brezat e tërë që u flijuan për liri dhe më të dashurit tanë të cilët sot në mëngjes i nderuam me homazhe dhe me kurora me lule.
Këto katër shtylla e mbajnë Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë ata që i thonë ujit ujë e bukës bukë, si data më sublime e jetës tonë mijë vjeçare dhe kujtesës tonë të shtrirë mbi 6 shekuj.
Sot, të dashur qytetarë të komunës së Drenasit,
Asamble e nderuar,
Jam i lumtur ta deklaroj edhe një lajm, zyrtarisht na ka arritur njoftimi se jemi komuna më e mirë në garën e performancës komunale. Kësaj radhe nuk i kemi pikët një e dy pikë më shumë se vendi i dytë, por, plotë tetë pikë.
Kjo arritje, është falë kontributit të të gjithëve, pozitës dhe opozitës, zyrtarëve dhe qytetarëve, Ambasadave që mbikëqyrin vlerësimin si dhe Zyrën e Bashkimit Evropian dhe MAPL-së.
Në këtë mbledhje solemne të Kuvendit të Drenasit, dua të shpreh respektin veçanërisht për ata që ishin në vendosjen e gurthemelit të qendrës së Biznesit Drenasi 2, dhe në të gjitha vendet ku promovohet dhe mbrohet interesi i qytetarëve të komunës së Drenasit.
Në këtë mbledhje solemne, më lejoni të shpreh ngushëllime për të gjithë ata qytetarë tanë që ndërruan jetë ndërmjet dy 28 nëntorëve dhe nuk janë më në mesin tonë për të marrë pjesë në shënimin e kësaj date historike, në Kosovën e lirë.
Sfidat, sot, nuk është rendi ti përmend, por, dua të theksoj se së bashku, mund të bëjmë mrekulli.
Së bashku, në këtë kohë të trazuar, na detyron të jemi bashkë për familjet, shtetin dhe kombin tonë. Sepse, nëntorët kanë vlerë kur festohen së bashku, ashtu si Skënderbeu, Ismail Qemali dhe Adem Jashari me shokë, si Komandant legjendar dhe emblemë e të gjithë ushtarëve të UÇK-së.
Në këtë seancë solemne, dua të falënderoj po ashtu mësuesit, arsimtarët dhe profesorët tanë, të cilët në mënyra të ndryshme, me nxënës, i kanë dhënë hov entuziazmit të shënimit të 28 nëntorit në shkollat tona apo ambientet tjera, duke përcjellë vlerën e kësaj date, ku flamuri kuq e zi, valon i lirë dhe na i ngroh zemrat.
Dua të përgëzoj mjekët dhe infermierët tanë që gjenden në krye të detyrës, bujqit tanë të vyer, policët, ushtarët, ndërmarrësit, studentët dhe të gjithë kontribuesit që i japin zhvillim Kosovës dhe ngrisin mirëqenien.
Kjo datë sa e veçantë e madhështore, aq e uruar për kombin tonë, u bë frymëzim dita kur Skënderbeu zbriti në Krujë, u bë fanar për ndriçimin e rrugës për shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Me këtë frymë madhështie, të kësaj date të shkëlqyer është bërë edhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Datë që na dha frymë, na dha jetë, datë që kondenzoi epoka dhe mbledh kombin rreth flamurit me shqiponjën dykrenore, rreth flamurit më të bukur në botë.
Në këtë datë të bekuar, lindi edhe Komandanti ynë legjendar, Adem Jashari, për t’i dhënë jetë çlirimit tonë nga okupatori shekullor.
Sot, kujtojmë me nderim dhe përkulemi me sinqeritet, para jetës dhe veprës së heronjve, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës tonë çlirimtare, shprehim respektin për familjet e dëshmorëve dhe të gjithë kontribuesve ndër gjenerata që ne të kremtojmë, nderojmë aleatët dhe botën demokratike që na u bashkua në rrugën e lirisë, sot, këtu, në zemrën e Kosovës, me seancë solemne të Kuvendit të Drenasit, 28 nëntorin, shënojmë datën më të çmuar të kombit.
Edhe në këtë 28 nëntor, na mungon Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe të tjerët, besojmë fort se 28 nëntori tjetër do të na gjej më mirë, bashkë me ta. Me heronjtë tanë të luftës dhe paqes, bashkë, edhe Kosova do të jetë më mirë.
Të dashur asamblistë, mysafirë të nderuar,
Qytetarë të nderuar,
Shqiptarë kudo qofshi e festofshi 28 nëntorin, gëzuar, përjetë e mot! Faleminderit!

https://www.facebook.com/share/p/1KWDn4MKtf/?mibextid=WC7FNe

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit