Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në udhëtim ndaj Manchester Cityt në kuadër të javës së 26-të në elitën e futbollit anglez.
Golin e epërsisë mysafirët e gjetën në minutën e 14-të përmes Mohamed Salah i cili me ndihmën e një devijimi nga Nathan Ake realizoi për 1-0.
Me të pësuar golin City nisi të marrë iniciativën duke dominuar në posedim të topit, por jo edhe duke arritur që të krijojë raste të pastra shënimi.
Në fakt ata e gjetën golin në minutën e 31-të përmes Omar Marmoush por që u anulua për pozicion jashtë loje.
Edhe tek goli i dytë i Liverpoolit gisht patën dyshja Szoboszlai-Salah (37’), por kësaj radhe ishte egjiptiani që asistoi për hungarezin për rezultatin 2-0.
Në pjesën e dytë të besuarit e Arne Slot gjetën sërish rrjetën, këtë herë përmes Curtis Jones, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Pavarësisht tentimeve të tyre për të ngushtuar rezultatin, City nuk arriti që të gjejë golin duke vazhduar kështu krizën e rezultateve këtë sezon.
Pas kësaj fitoreje Liverpooli shkon në kuotën e 64 pikëve dhe mban pozitën e parë në tabelë, teksa City renditet në pozitën e katërt me 44 sosh.
Dy ekipet do rikthehen në aksion sërish në mesjavë ku ‘Qytetarët’ do të luajnë në udhëtim ndaj Tottenhamit ndërsa ‘Të Kuqtë’ do të jenë nikoqir të Newcastle.