Liverpooli ka shënuar fitoren e radhës në Premierligë, duke mposhtur me përmbysje Leicester Cityn dhe tani janë shtatë pikë larg vendit të dytë, Chelseat.
Kur të gjithë të tjerët gabojnë, skuadra e Arne Slot po vazhdon me fitore të njëpasnjëshme.
Ndonëse ishin duke humbur fillimisht, ‘The Reds’ u kthyen për ta fituar përballjen dhe për të marshuar sigurt drejt titullit kampion.
Përballja në Anfield u dominua tërësisht nga lideri i elitës angleze, që patën shumë raste shënimi e dominim në posedim të topit, me mysafirët që patën vetëm një rast në drejtim të portës, në të cilin realizuan gol.
Jordan Ayew shënoi në minutën e gjashtë për 1:0, për t’ia dhënë epërsinë e hershme Leicesterit, por kaq ishte nga kjo skuadër në këtë përballje.
Cody Gakpo barazoi shifrat në minutat shtesë të pjesës së parë me gol fantastik, i asistuar nga Mac Allister.
Katër minuta pasi filloi pjesa e dytë, Curtis Jones, e çoi Liverpoolin për herë të parë në epërsi në këtë ndeshje, kur shënoi për 2:1.
Gakpo shënoi edhe një gol tjetër në minutën e 68-të, por që u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.
Në listën e golashënuesve nuk kishte si të mungonte ‘Mbreti egjiptian’ Mohamed Salah, që shënoi për rezultatin përfundimtar 3:1 në minutën e 82-të, i asistuar nga Cody Gakpo.
Me fitoren 3:1, Liverpooli marshon sigurt dhe e vetme në krye të Premierligës.
The Reds kanë 42 pikë nga 17 ndeshje të zhvilluara, shtatë më shumë se ndjekësi më i afërt, Chelsea, me këta të fundit që kanë një ndeshje më shumë të zhvilluar.