Liverpool FC ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen e fanellës me numrin 20 në nder dhe kujtim të Diogo Jotës, i cili humbi jetën tragjikisht së bashku me vëllain e tij, Andre Silva, në një aksident automobilistik në Spanjë më 3 korrik.
Në një deklaratë prekëse, klubi shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e futbollistit portugez dhe vlerësoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm në pesë vitet e qëndrimit në “Anfield”. Sipas klubit, ky vendim u mor pas konsultimit me bashkëshorten e tij, Rute, dhe familjarët më të afërt.
“Ishte numri që ai e mbante me krenari dhe dallim, duke na çuar drejt fitoreve të panumërta gjatë këtij procesi – dhe Diogo Jota do të jetë përgjithmonë numri 20 i Liverpoolit,” thuhet në deklaratën e klubit.
Tërheqja e numrit do të vlejë në të gjitha nivelet e klubit – nga ekipi i parë i meshkujve, tek ai i femrave dhe akademia – duke e bërë këtë një moment historik në historinë 133-vjeçare të Liverpoolit, pasi është hera e parë që klubi tërheq një numër fanellë.
“Ky veprim është njohje jo vetëm e kontributit të pamatshëm që djaloshi ynë nga Portugalia dha në sukseset e Reds në fushë gjatë pesë viteve të fundit, por edhe e ndikimit të thellë personal që ai pati te shokët e tij të ekipit, kolegët dhe mbështetësit, si dhe lidhjet e përjetshme që ndërtoi me ta.”
Klubi gjithashtu shprehu mbështetjen e tij për familjen e Jotës në këtë kohë të vështirë:
“Tronditja dhe pikëllimi i ndarjes së tij nga jeta do të vazhdojnë të ndihen për një kohë të gjatë dhe klubi qëndron pranë tij dhe i dërgon dashuri Rutes, tre fëmijëve të tij, prindërve të tij dhe pjesës tjetër të familjes dhe miqve të tij – dhe të Andres.”
Në përfundim, Liverpooli e përmbylli mesazhin e tij me fjalët:
“Diogo Jota. Djaloshi ynë nga Portugalia. Përgjithmonë numri ynë 20.”