Alexander Isak do të përballet me disa muaj jashtë fushave pas frakturës në këmbën e majtë, ka konfirmuar Liverpooli.
Sulmuesi, i cili u transferua në Merseyside nga Newcastle me një marrëveshje rekord për futbollin britanik, pësoi dëmtimin gjatë aksionit të golit hapës në fitoren 2-1 të Liverpoolit ndaj Tottenhamit të shtunën.
Micky van de Ven ndërhyri ashpër në përpjekje për të bllokuar goditjen e suedezit, por nuk arriti ta ndalë golin.
Megjithatë, Isaku nuk u ngrit për të festuar golin e tij të dytë në 16 paraqitjet e fundit dhe, pas trajtimit mjekësor, u zëvendësua nga Jeremie Frimpongu.
Trajneri Arne Slot dha menjëherë sinjale negative, ndërsa Liverpooli ka konfirmuar se ekzaminimet e kryera të hënën zbuluan një frakturë në pjesën e poshtme të këmbës së majtë të Isakut.
Në një deklaratë zyrtare, klubi tha:
“Alexander Isak sot i është nënshtruar me sukses operacionit për dëmtimin që pësoi të shtunën. Sulmuesi i Liverpoolit u dëmtua gjatë një ndërhyrjeje në momentin e shënimit të golit hapës kundër Tottenham Hotspur dhe u detyrua të zëvendësohej. Pas diagnozës, sot u krye një operacion për një dëmtim në kyçin e këmbës që përfshinte frakturë të fibulës. Rehabilitimi i Isakut tani do të vazhdojë në Qendrën Stërvitore ‘AXA’, pa një afat të caktuar për rikthimin e tij”.
Duke folur pas ndeshjes me Tottenhamin, Sloti tha se kishte pasur menjëherë një ndjesi se dëmtimi ishte serioz:
“Nëse një lojtar as nuk përpiqet të rikthehet në fushë, zakonisht nuk është shenjë e mirë, por nuk mund të them më shumë se kaq,” tha holandezi.
“Kjo është vetëm një ndjesi dhe jo diçka mjekësore… të mos jemi shumë negativë ende. Nuk e dimë ende. Shpresojmë të rikthehet sa më shpejt”, u shpreh ai.
Ky dëmtim i fundit thellon edhe më shumë një sezon të vështirë debutues për Isakun në “Anfield”.
Ai e nisi ngadalë pas mungesës në fazën përgatitore verore dhe nuk ishte plotësisht në formë kur iu bashkua skuadrës.
Më pas, pësoi edhe një dëmtim në ijë që e la jashtë për disa javë.
Deri tani, Isaku ka shënuar vetëm tre gola në 16 paraqitje për Liverpoolin, një statistikë që nuk pritet të përmirësohet së shpejti pas këtij rikthimi të dhimbshëm.






