Liverpooli ka luajtur baras me rezultat 1-1 në shtëpi ndaj Sunderlandit në kuadër të javës së 14-të në Ligën Premier.
Sunderland rrezikoi i pari në minutën e 32-të, kur Trai Hume goditi fuqishëm drejt trekëndëshit, por Alisson reagoi në mënyrë fantastike duke devijuar topin në traversë.
Liverpooli iu afrua golit në minutën e 44-të, por goditja me kokë e Alexis Mac Allister u ndal në shtyllën e majtë.
Sunderland kaloi në epërsi në minutën e 67-të, kur një gjuajtje nga distanca e Chemsdine Talbi u devijua dhe përfundoi në rrjetë duke befasuar Alissonin.
Pak çaste më vonë, Omar Alderete pati mundësinë të dyfishonte rezultatin, por goditja e tij me kokë u përplas në shtyllë.
Liverpooli u rikthye në lojë në minutën e 81-të. Florian Wirtz, pas një depërtimi të shkëlqyer mes mbrojtësve, goditi nga brenda zonës dhe topi u devijua, duke e mposhtur portierin Roefs për 1-1.
Në minutën e 91-të, sulmuesi mysafir Wilson Isidor u gjend i vetëm përballë Alisson, por goditjen e tij e largoi nga vija fatale Federico Chiesa.
Pavarësisht tentimeve nga të dyja skuadrat, asnjëra nga to nuk arriti të gjejë golin e fitores, duke ndarë kështu nga një pikë në një përballje tejet të luftuar.
Pas këtij barazimi Liverpooli shkon në kuotën e 22 pikëve dhe mban pozitën e tetë në tabelë, ndërsa Sunderlandi me një pikë më shumë renditet në vendin e gjashtë.







