Me Gravenberch gjysmë të “hipotekuar”, tashmë anglezët e Liverpool po fillojnë bisedimet për “shënjestrën” e dytë të mesfushës, “fantazistin” e Chelsea, Mason Mount, me anglezin, që pëlqehet shumë nga gjermani Jurgen Klopp.
Sipas mediave angleze, me ardhjen e tij në krye të “bluve”, Presidenti Todd Boehly pati si synim kryesor uljen e pagave, mirëpo për disa lojtarë të cilët kontratën e firmosur disa vite më parë kjo konsiderohet si diçka e padrejtë dhe një ndër këta lojtarë është dhe prodhimi i Cobham (akademisë së Chelsea), Mason Mount.
Për këtë arsye, “fantazisti” 24-vjeçar është kthyer në objektivin e shumë skuadrave si në Premier League, ashtu dhe jashtë “ishullit”, mirëpo “të kuqtë” e Liverpool janë të gatshëm t’i ofrojnë Mount një “aventurë” të re, kësaj radhe në një klub akoma më legjendar dhe pa ulje page.