Liverpooli ka arritur një fitore të ngushtë me 2-1 ndaj Wolves në kuadër të javës së 18-të të Premier League, duke mbajtur ritmin e fortë në garën për vendet e larta.
‘Të Kuqtë’ nisën ndeshjen me shumë energji dhe rrezikuan herët. Në minutën e 11-të, Hugo Ekitike depërtoi në zonë dhe goditi fort, por topi u ndal nga shtylla. Në minutën e 28-të, Alexis Mac Allister pati një mundësi tjetër, por gjithashtu topi përfundoi jashtë.
Epërsia u konkretizua në minutën e 41-të, kur Ryan Gravenberch shënoi pas një pasimi të saktë, duke vendosur rezultatin 1-0. Vetëm një minutë më vonë, Florian Wirtz dyfishoi avantazhin pas asistit të Ekitike, për 2-0.
Në pjesën e dytë, Wolves reaguan shpejt. Në minutën e 51-të, pas një aksioni dhe një goditjeje fillestare të Arokodare, Santiago Bueno shënoi nga afërsia për 2-1.
Liverpooli kërkoi ta mbyllte ndeshjen dhe pati disa raste të pastra, përfshirë mundësinë e Wirtz në minutën e 61-të dhe goditjen e Curtis Jones në minutën e 65-të, e cila u ndal nga portieri José Sá.
Megjithëse Wolves tentoi të barazonte deri në fund, Liverpooli arriti të ruajë avantazhin dhe të sigurojë tri pikë të vlefshme, duke forcuar pozitën e tij në renditje.






