-4.8 C
New York
Friday, January 24, 2025

Buy now

Listat zgjedhore: Gratë mes kuotës dhe diskriminimit të heshtur

- Advertisement -

Partitë politike tashmë kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë në KQZ. Në këto lista partitë parlamentare kanë respektuar kuotën prej 30 për qind, e cila është obligim ligjor.

Duke e respektuar këtë normë ligjore, LVV-ja, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në listat e tyre kanë përfshirë gjithsej 152 gra.

Më se shumti gra në listën e saj ka futur partia në pushtet, me 41 gra. Pas saj renditet PDK-ja me 38, LDK-ja me 37 dhe koalicionin AAK-Nisma me 36 gra.

Njohësi i rrethanave politike, Shenoll Muharremi, ka kritikuar partitë parlamentare që nuk kanë futur sa duhet gra në listat e tyre.

“450,000 gra janë jashtë tregut të punës dhe ekonomisë. Pa kopshte dhe kujdes për fëmijë, nuk ka punë dhe biznes për gra. Përfaqësimi fillon me listat zgjedhore dhe mundësitë që ofrohen në fillim. Kështu, progresivisht dhe strukturalisht, burrat po krijojnë më shumë eksperiencë dhe avantazh, ndërsa gratë po mbesin të margjinalizuara që në start”, ka shkruar Muharremi.

Sipas tij, në këtë drejtim më se miri qëndron VV-ja.

“Sa i përket përfaqësimit, situata është për keqardhje. Partia që ka theksuar se ka politika të forta gjinore 50%-50%, ka vetëm 34.5% gra. Një tjetër parti, që ka gra me kapacitete të forta, ka deklaruar se ka 36% gra, por në realitet ka vetëm 33.6% (edhe më keq sesa mendojnë). LVV, kur krahasohet me tri partitë kryesore, ka fituar këtë garë sa i përket listave. Ata kanë 41 gra nga 110 kandidatë për deputetë, që përkthehet në 37.3%.”, ka shkruar ai, duke shtuar se në të ardhmen duhet të ketë më shumë gra në lista.

“Në përgjithësi, gratë janë të diskriminuara me përfaqësim jashtëzakonisht të ulët, sidomos kur merret parasysh struktura demografike e Kosovës, por edhe nevojat ekonomike dhe investimet biznesore. Ky është një rast nga i cili duhet të mësojmë për të ardhmen, në mënyrë që listat dhe përfaqësimi të bazohen në objektiva, potencial dhe nevojat e vendit”, ka shkruar ai.

Për aspektin gjinor të listave zgjedhore ka shkruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo është krenuar që VV-ja ka numrin më të madh të grave në listë.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! jo vetëm që nuk është krahasuar asnjëherë me subjektet tjera sa i përket kauzave për barazi gjinore e përfaqësim gjinor, por as që i ka pasur ndonjëherë shembull ata. Ne zakonisht jemi krahasuar vetëm me veten dhe progresin e kemi matur mbi atë. Në zgjedhjet e kaluara të gjitha gratë nga radha e Lëvizjes janë bërë deputete pa ndihmën e kuotës. Ndërkohë sivjet në listën tonë përveçse cilësi kemi edhe më shumë kandidate gra”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo është zotuar se VV-ja do të angazhohet për më shumë të drejta për gratë.

“Krahasuar me subjektet e tjera ne kemi në listë 41 gra kandidate, ndërkaq subjektet si PDK 38, LDK 37 dhe AAK 36. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë të përfaqësojë e të luftojë për më shumë të drejta e më shumë barazi sikurse do të vazhdojë të ofrojë e shtyjë përpara edhe politika zhvillimore e sociale që për bazë kanë fuqizimin e gruas në shoqërinë tonë”, ka shkruar Haxhiu.

Partitë politike janë të obliguara që të kenë minimalisht 30 për qind gra në lista e tyre zgjedhore.

Deri me tani, pothuajse të gjitha partitë kanë respektuar këtë normë ligjore.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit