Serbët në veri kanë marrë një kërkesë nga Beogradi zyrtar.
Përmes Listës Serbe, të njëjtit po ftohen të marrin pjesë në protestën e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Tëvë 1 ka mësuar ekskluzivisht se 500 serbë janë duke u përgatitur nga Lista Serbe për të udhëtuar në Serbi, të cilët do të qëndrojnë në tenda e për këtë, do të paguhen nga 300 euro.
Gjatë ditës, televizioni tentoi të marrë përgjigje nga lideri i Listës Serbe, por qe e pamundur.
Njohësi i sigurisë, Avni Islami thotë se Vuçiq po bën veprime të tilla pasi që protestat në Beograd janë serioze për largimin e tij nga posti.
Sipas tij, presidenti serb po e intstrumentalizon Listen Serbe për nevoja të tij.
Ndërkaq Nexhat Ugljanin, kryesues i kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, ndërhyrjen e Vuçiq te serbët e Kosovës e sheh si keqperdorim të qytetarëve.
Në anën tjetër, Veton Elshani Zevendesdrejtori i Policisë për veriun, thotë se situata në veri vazhdon të mbetet e qetë.
Protestat e studentëve dhe qytetarëve në Serbi po vazhdojnë tash e mbi 3 muaj të cilët po kërkojnë largimin e Vuçiqit nga posti i presidentit, pas tragjedisë në Novi Sad ku mbetën të vdekur 15 persona si pasojë e rrëzimit të çatisë së stacionit hekurudhor.