Pasi Nenad Rashiq u votua për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, dhe Kuvendi u konstitutua, në foltoren e hollit të Kuvendit doli deputeti Igor Simiq, nga Lista Serbe. Këta të fundit vlerësojnë se Kuvendi nuk është konstituar.
Ai ka thënë se “edhe një herë u dëshmua se drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë”.
Më tej ai tha se “Sot nuk është përfunduar konstituimi i seancës së Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë”.
Lista Serbe insiston se të drejtë për t’u zgjedhur nënkryetar nga radhët e komunitetit serb kanë vetëm deputetët e Listës Serbe pasi që ata përfaqësojnë vullnetin e shumicës së komunitetit serb.
Në vend të nëntë deputetëve të propozuar nga Lista Serbe, nënkryetar u zgjodh deputeti Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rashiq ka qenë ministër në qeverinë e deritanishmë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.