Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes dhe bashkëshort i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që Lista Serbe të mos certifikohet për zgjedhjet lokale të vjeshtës.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ai e cilësoi këtë subjekt si të lidhur me struktura kriminale dhe si përfaqësuese direkte të politikave të Beogradit, transmeton lajmi.net

“Unë kërkoj nga kolegët këtu që ne mos ta certifikojmë Listën Serbe. Nuk ka të bëjë vetëm me kandidatët, por me vetë karakterin e këtij subjekti politik – dorë e zgjatur e regjimit të Vuçiqit dhe, të themi, e strukturave kriminale të Beogradit,” tha Krasniqi.

Deklarata e tij vjen në kundërshtim të drejtpërdrejtë me konstatimet e Zyrës për Certifikim në KQZ dhe të Ministrisë së Jashtme të udhëhequr nga Donika Gërvalla, e cila në raportet e verifikimit nuk ka gjetur asnjë arsye ligjore për të ndaluar certifikimin e Listës Serbe. Sipas të dhënave zyrtare, asnjë nga 238 kandidatët nuk rezulton i përfshirë në lista ndalimi nga KGJK apo institucionet përkatëse shtetërore.

Gjithashtu, e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Pratipatti, ka kërkuar sot që Lista Serbe të mos përjashtohet nga zgjedhjet lokale. Ajo theksoi se pjesëmarrja e serbëve në procesin zgjedhor është thelbësore për legjitimitetin demokratik të Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për çdo përpjekje që do të kufizonte të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për t’u përfaqësuar.