Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të mos e certifikojë këtë subjekt për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, i cili në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut e ka quajtur vendimin e KQZ-së “të paligjshëm, joligjor dhe antiserb”.
“Sot kemi dorëzuar ankesën dhe presim që ky vendim të anulohet dhe subjekti ynë politik të konfirmohet për pjesëmarrje në zgjedhje”, tha Elek.
Ai theksoi se ky është viti i tretë radhazi që Lista Serbe nuk certifikohet në proceset zgjedhore në Kosovë, duke akuzuar autoritetet e Kosovës se po u mohojnë serbëve të drejtën për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitimë.
KQZ-ja të martën nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet qendrore të 28 dhjetorit.






