Partia e re në skenën politike kosovare, Lista “Guxo”, e cila beson se të drejtë vote kanë edhe 16-vjeçarët, siç duket ka edhe probleme të tjera serioze. Anëtarët e këtij subjekti politik, që ia dolën të futen në Kuvend falë bashkëpunimit më Lëvizjen Vetëvendosje, nuk dinë kolektivisht s’i duket që t’i dallojnë flamujt e shteteve.
Huqjeve të pafundme të Listës Guxo i prin natyrisht kryetarja Donika Gërvalla – Schwarz, por ajo duket se i ka “infektuar” edhe kolegët e saj partiakë.
Kështu, deputeti Haxhi Avdyli deri sa tentoi ta mbronte shefen e tij, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, bëri një huqje të re të ngjashme me të.
I bindur që e ka goditur “pikën”, Avdyli në një emision në T7 u deklarua se flamuri i Moldavisë dhe ai i Vatikanit janë tepër të ngjashëm dhe kjo ishte arsyeja pse Gërvalla kishte gabuar në vendosjen e tyre në një postim të saj në Twitter.
Sidoqoftë, Avdyli përveç se nuk është i informuar se shefja e tij ngatërroi flamurin e Moldavisë me atë të Andorrës, siç duket nuk e di që flamuri i Vatikanit është i veçantë dhe nuk ka asnjë ngjashmëri me flamujt e këtyre dy shteteve.
“Akterë të ndryshëm brenda LDK-së, njerëz të cilët kanë qenë në oborrin e Isa Mustafës, kanë edhe portale ata, dhe përmes portaleve mundohen me gjet kime në vezë, jo nuk e qiti një ë, jo e qiti një flamuj që mund të jenë të gabueshëm në Twitter. Shyqyr sot që e kemi një ministre të Jashtme ku vetëm kritikë e ka që ka gabuar një flamur, në vend që me të qit të Moldavisë, e ka qit të Vatikanit, që i kanë ngjyrat e njëjta, janë shumë të vogla”, tha Avdyli.
Për informim të Avdylit, Gërvallës, Listës Guxo dhe qytetarëve, flamuri i Moldavisë dhe Vatikanit dallojnë tepër shumë dhe e vetmja gjë e përbashkët që kanë është ngjyra e verdhë.
Gërvalla ngatërroi flamurin e Moldavisë me atë të Andorrës, të cilët kanë ngjashmëri, por se gabime të tilla nuk duhet të bëhen nga një ministre, aq më pak nga një kryediplomate, sepse është fyerje për shtetet.
Gërvalla huqje të tilla bën shumë shpesh, por përveç flamujve, “specialitet” i ka edhe huqjet në postimet e saj në gjuhën angleze.
Përveç gabimeve, Gërvalla përgjatë një viti nuk e ka arritur asnjë sukses në politikën e jashtme dhe asnjë njohje të re nuk ia ka sjellë vendit.