Është liruar qytetari Agim Pllashniku i cili u arrestua pasi e quajti “hajne” deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Megjithatë, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Kanosje”.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Referuar këtij rasti, i dyshuari është ftuar për intervistim nga ana e policisë dhe me rekomandimin e prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, dhe i njëjti më pas është proceduar i lirë” – ka thënë ai për Klan Kosova.
Ndryshe, qytetari i kërkoi Pacollit që t’ia paguante faturën në një kafene, si shenjë proteste.
Kjo pasi familjarë të deputetes së VV-së morën shuma të mëdha parash nga buxheti i shtetit.