Pesë policët e akuzuar për vrasjen e Agon Zejnullahut në Lipjan, janë liruar nga paraburgimi.
Lidhur me këtë ka reaguar Sindikata e Policisë së Kosovës.
Reagimi i plotë:
Sindikata e Policisë së Kosovës përshëndet vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit për lirimin nga masa e paraburgimit të pesë zyrtarëve policorë.
Ky vendim, i marrë nga një instancë më e lartë gjyqësore, përbën një hap pozitiv drejt respektimit të parimeve themelore të drejtësisë, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Sindikata e Policisë thekson se gjithmonë ka qenë dhe mbetet përkrah ligjshmërisë, transparencës dhe profesionalizmit, por njëkohësisht kujton se çdo zyrtar policor ka të drejtë të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi, veçanërisht gjatë procesit hetimor, ku ende nuk është vërtetuar përgjegjësia penale.
Theksojmë se Policia e Kosovës është një institucion jetik për rendin dhe sigurinë publike, dhe çdo vlerësim i ngutshëm, pa përfunduar hetimet e plota, rrezikon të dëmtojë integritetin profesional të punonjësve policorë dhe të krijojë pasiguri institucionale.
Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh besimin e saj të plotë në sistemin e drejtësisë dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të respektojnë procesin gjyqësor në vijim, pa paragjykime dhe me kujdes ndaj ndjeshmërisë së rastit.
Në fund, shprehim mirënjohje për angazhimin e mbrojtësve ligjorë dhe familjeve të zyrtarëve në këtë proces, si dhe garantojmë se do të vazhdojmë të jemi zëri i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe sigurisë ligjore të çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Me respekt,
Sindikata e Policisë së Kosovës