Lirim Mehmetaj ka reaguar ashpër ndaj një statusi të publikuar nga aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, ku ky i fundit aludon për të si pjesë e një “rrjete shpifësish” dhe e përmend në kontekstin e pasluftës në Kosovë.
Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, Mehmetaj ka mohuar akuzat dhe i është drejtuar Hotit me ftesë që të përballet me fakte:
“Lej përrallat, hajde n’studio ose në prokurori… Dallimi mes meje edhe këtyre falangave me aktivitet kriminal dhe aksione terroriste është se unë prezantoj fakte, këta llafe,” ka shkruar Mehmetaj.
Ai ka pohuar se akuza e tij ndaj Valon Hotit nuk ka qenë retorikë, por konkrete, duke përmendur një incident të rëndë:
“I nderuar kriminel fundor i Vetëvendosjes, akuza ime për ty ka qenë konkrete: Ti, bashkë me një grup prej pesë vetash të tjerë, i keni zënë priten një personi dhe keni dashur ta rrihni brutalisht, mbase deri në ekzekutim final.”
Më tej, Mehmetaj shton se është i gatshëm të publikojë incizimet që posedon dhe pyet pse Hoti nuk pranon përballje publike:
“Të thashë, eja në studio, ta lëshoj incizimin. Pse largohesh nga diçka konkrete dhe e detyron Dejona Mihailin të shkruajë statuse koti?”
Në reagimin e tij, Mehmetaj shkon edhe më larg duke akuzuar Vetëvendosjen për përgjegjësi në sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës:
“Ju si Vetëvendosje do të mbani përgjegjësi edhe për sulmin terrorist ndaj tempullit të demokracisë.”
Ai thotë se posedon fakte për të gjitha akuzat dhe paralajmëron se edhe nëse institucionet nuk veprojnë, ai do ta bëjë të ditur të vërtetën:
“Edhe nëse secilin prokuror e keni blerë, edhe nëse do të më kushtojë me jetë, e gjithë Kosova do ta kuptojë se përveç grupit të Radojiçiç-it, ju jeni grupi tjetër që ka sulmuar Kosovën.”
Në fund, ai përmend edhe kontributin e familjes së tij në çlirimin e Kosovës, duke shtuar:
“Madje është pikërisht ai kontribut familjar që më obligon t’iu ekspozojë për kriminelët që jeni.”