6.8 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Liria pa çlirimtarë është gjysmake

- Advertisement -

Shkruan: Agron Hoti

     12 qershori 1999 shënon datën kur shqiptarët e Kosovës çlirohen përfundimisht nga terrori e gjenocidi mbi 100 vjeçar serb. Asgjë nuk ka më të çmueshme në jetë sesa liria e jetesës, liria e shprehjes, liria e perspektivës, të cilat kurrë s’i kishim. Sot e marrim lirinë si të mirëqenë, por harrojmë që kjo liri na erdhi me çmim shumë të lartë, sepse u deshën mbi 100 vite rezistencë qoftë edhe me gjak qindra mijëra shqiptarësh që duke mos ndalur rezistencën s’u dorëzuan kurrë para pushtuesit serb, pavarësisht që shumë prej tyre s’arritën kurrë ta shijojnë lirinë që ne po e gëzojmë sot. 
     Gjyshi im nga babai që kishte përjetuar tmerrin nëpër burgjet serbe e thoshte shpesh me dëshpërim të thellë: “a është jetë të jetojmë ndonjëherë të lirë, sepse linda, u rrita dhe u plaka nën këpucë dushmani (v.i. pushtuesi)”. Dhe ashtu ndodhi, gjyshi vdiq para lufte pa e ditur si ishte liria, pa e shijuar kurrë atë. 
       Prandaj, përulje deri në pafundësi për të gjithë ata dëshmorë e martirë që dhanë jetën për këtë ditë që sot po e gëzojmë i madh e i vogël! Përulje deri në pafundësi për të gjithë ata djem e vajza të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që s’kursyen as jetën për këtë liri që kurrë s’e kishim! Përulje deri në pafundësi për të gjithë ata që në një mënyrë apo mënyrë tjetër kontribuan për këtë ditë! 
     Kjo datë shënon edhe zgjerimin e Perëndimit drejt Lindjes, ndaj përulje deri në pafundësi edhe për Perëndimin që ngriti në ajër afro 1 mijë avionë bombardues, përfshirë dhe gatishmërinë për ta pushtuar qoftë edhe me forca tokësore Serbinë që po bënte gjenocid ndaj shqiptarëve vetëm pse ishin shqiptarë. Shqiptarët nëse duan të mbijetojnë si komb, nuk guxojnë t’i ikin as edhe një minutë të vetme rreshtimit krah Perëndimit, sepse pasojat e Lindjes i kemi përjetuar shekuj me radhë. 
      Por, kjo liri e begati që kurrë s’e kishim, nuk mund të konsiderohet ende e plotë, gjersa çlirimtarët tanë ende paguajnë çmim lirie në Hagë, në një gjykatë politike të mbjellë nga Serbia e Rusia në zemër të Evropës, pra në Këshill të Evropës, aty ku në fakt do të dënohej Serbia gjenocidale e jo Kosova çlirimtare. Mbrojtja më e mirë është sulmi, ndaj Rusia meqë e kishte mbërthyer Evropën po ngriste gjykatë politike kundër Kosovës për ta goditur e diskredituar Perëndimin. Qëllimi i Rusisë ishte përmbysja e historisë në favor të saj. Por, kush kujt i hap gropën, bie vetë në të. Ndaj, Rusia me agresionin e saj në Ukrainë u përjashtua pikërisht nga Këshilli i Evropës dhe me këtë dielli për shqiptarët prapë filloi të shëndriste nga Perëndimi, gjersa diskreditimi i asaj gjykate politike kundër çlirimtarëve nisi intensitetin e saj. 
     Edhe familjet e çlirimtarëve në Hagë kanë dëshirë sikurse ne ta shijojnë lirinë pranë këtyre çlirimtarëve të tyre, të cilët të dalë nga Universiteti i Prishtinës ia arritën si askush më parë deri me sot ta fitonin përkrahjen e tërë Perëndimit dhe botës demokratike. Për fat të keq Serbia e Rusia bashkë me shumë aleatë të tyre evropianë ia kishin dalë që përmes armatës së tyre të instaluar në Kosovë të krijonin një mjedis tejet armiqësor ndaj çlirimtarëve të UÇK-së, diçka e paparë në glob. Por, do të jetë vetë diskreditimi i gykatës speciale, ai që do ta rikthejë lavdinë e çlirimtarëve duke i dhënë goditje përfundimtare atij shpirt shqiptari në dukje që edhe ëndrrat i sheh serbisht. 
    Këta çlirimtarë me veprën kolosale për të mirë të kombit që i lindi dhe rriti, shkelën nëpër kancelari perëndimore  më shumë se çdo shqiptar deri me sot. E Perëndimi ua hapi dyert pikërisht sepse ua nuhati vendosmërinë e tyre të drejtë për ta çliruar një pjesë të kombit të tyre, të cilit në zemër të Evropës së fundshekullit 20 po i kanosej shfarosja përfundimtare nga gjenocidi serb.
    Prandaj, çfarëdo lirie pa çlirimtarët ngelet gjysmake. Respekt e përulje për këta çlirimtarë! Lavdi e përulje për tërë sakrificën e kombit shqiptar!

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit