Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli ka falënderuar qindra mijëra qytetarë që i janë bashkuar Marshit “Drejtësi, jo politikë” dhe të gjitha personalitetet dhe kategoritë e shoqërisë që e kanë mbështetur këtë kauzë për drejtësi të paanshme dhe dinjitet.
Tasholli tha se drejtësia nuk mund të jetë selektive, nuk mund të jetë e dirigjuar, por duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë për të gjithë.
“Qytetarët duan Drejtësi, Jo Politikë. E sot, nga kjo ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë – për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët: ju nuk jeni vetë. Pas jush qëndron një popull i tanë. Pas jush qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë. Ata nuk janë vetëm”, theksoi ai.
Tasholli tha se populli i Kosovës nuk mund të pranoj që procese që zhvillohen në emër tij të përdoren për të barazuar agresorin me viktimën, apo për të mjegulluar karakterin çlirimtar të luftës sonë.
“Nëse drejtësia devijon nga parimet e barazisë dhe paanshmërisë, dhe kur gjyqi në Hagë thirret se vepron “në emër të popullit të Kosovës”, atëherë ne kemi të drejtë morale dhe qytetare të themi qartë: jo në emrin tim, jo në emrin tonë”, deklaroi ai.
Tasholli tha se kur flitet për UÇK-në, aty nuk ka ndarje, sepse Ushtria Çlirimtare është themeli i lirisë tonë.
“Në çdo fshat e në çdo qytet ku kemi shkelë me Elizën për organizimin e marshit, një fjalë ka qenë mbi të gjitha – UÇK-ja. Ka qenë fjala e nderit, fjala që na ka bashku, fjala që i ka mbush sytë me lot e zemrat me krenari. S’ka pasë shpi, s’ka pasë shesh, s’ka pasë takim ku emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mos me u përmend me respekt e dashni. E kemi pa me sytë tanë sa shumë e don ky popull UÇK-në – si simbol, si sakrificë, si themel lirie, si pjesë e identitetit tonë. Ajo ka qenë ndjenja që na ka lidhë kudo, krenaria që nuk shuhet dhe betimi i heshtun që nderi i saj nuk preket”, shtoi ai.
Duke uruar 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Tasholli kujtoi sakrificat e popullit tonë për të arritur deri te liria.
“Mbi 12 mijë qytetarë të vrarë e të masakruar. Mbi 1600 persona ende të pagjetur. Mbi 1500 fëmijë nën moshën 18-vjeçare, të vrarë. Mbi 20 mijë gra të dhunuara. Mbi 1 milion qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Mbi 500 mijë shtëpi të djegura, bashkë me shkolla, spitale e institucione. Rreth 3 mijë dëshmorë dhe mbi 3 mijë të plagosur. Këto nuk janë vetëm statistika. Janë plagë të hapura. Janë familje që presin. Janë nana që s’e dinë ku e kanë vajzën apo djalin. Janë fëmijë që u rritën pa prindër. Janë gra që e mbajnë dhimbjen si barrë të heshtur. Janë qytete të tëra që u zbrazën me dhunë. Prandaj duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. Mes atij që erdhi për të pushtuar, për të djegur e për të dëbuar, dhe atij që u ngrit për t’u mbrojtur. Mes një lufte pushtuese dhe një lufte çlirimtare”, tha Tasholli.






