-5.2 C
New York
Monday, January 20, 2025

Buy now

Liria e shprehjes, largimi nga gjuha e dhunës dhe sigurimi i procesit zgjedhor me integritet

- Advertisement -

Shkruan: Ardian Bajraktari

Liria e shprehjes është e garantuar, si me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e po ashtu edhe neni 40 të Kushtetutës tonë, lirinë e shprehjes dhe fushëveprimin e sajë e ka interpretuar gjerësisht Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Rregullat lidhur me lirinë e shprehjes, aplikohen edhe për lirinë e shprehjes politike. Në këtë drejtim GJEDNJ i ka dhënë një rëndësi të veçantë debatit të lirë politik dhe shprehjes politike, prandaj, si pjesë të lirisë së shprehjes duhet kuptuar publikimin e deklaratave politike, programeve të subjekteve politike dhe të fotografive, si dhe gjithashtu edhe shprehjen e opinioneve politike duke përfshirë postimin e përmbajtjeve politike në internet.

Në aspekt të zgjedhjeve, sipas GJEDNJ-së është e rëndësishme që liria e shprehjes të balancohet me parimet e të drejtës për zgjedhje të lira, nga nenin 3 i Protokollit Nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka për qellim krijimin dhe ruajtjen e themeleve të një demokracie efektive dhe kuptimplote të udhëhequr nga parimet e sundimit të ligjit.

Zgjedhjet e lira dhe liria e shprehjes, veçanërisht liria e debatit politik, janë themelet e një sistemi demokratik. Këto të drejta janë të ndërlidhura dhe operojnë duke e përforcuar njëra – tjetrën, prandaj është shumë e rëndësishme që gjatë periudhës para zgjedhjeve (fushatës), opinionet dhe informatat e të gjitha llojeve të lejohen të qarkullojnë lirisht.

Në kontekst të debateve zgjedhore, ushtrimi i lirisë së shprehjes përkatësisht fjalës, në mënyrë të papenguar për kandidatët ka një rendësi të veçantë, thekson GJEDNJ-ja.

Në këtë aspekt është e veçanërisht e rëndësishme të theksohet se, liria e shprehjes dhe e drejta për zgjedhje të lira mund të vihen në konflikt njëra me tjetrën, e për rrjedhojë mund të lind nevoja që gjatë periudhës para ose gjatë zgjedhjeve (fushatës), të vendosen disa kufizime të cilat si të tilla nuk do të ishin të pranueshme për lirinë e shprehjes.

Megjithatë duhet pasur parasysh se qëllimi i kufizimeve të tilla bëhet për të siguruar “shprehjen e lirë të opinionit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor, zgjedhjeve”. Përkitazi me këtë çështje, GJEDNJ-ja ua njeh shteteve një tolerancë të vlerësimit sa i përket sistemit zgjedhor përkatësisht vendosjen e balancit në mes të lirisë së shprehjes dhe zgjedhjeve të lira.

Në po këtë fryme edhe Gjykata jonë Kushtetuese (Rastin nr. KI27/20, i cili është përdorë referencë në këtë opinion) ka konstatuar se, liria e shprehjes, duke përfshirë edhe lirinë e shprehjes politike përmes internetit është e garantuar. Por kufizimet në lidhje me këtë liri, përfshirë lirinë e shprehjes gjatë procesit zgjedhor, mund të vendosen nga shtetet të cilat kanë një hapësirë diskrecionale të vendosjes, nëse plotësohen këto kushte:

1. që kufizimi është parashikuar me ligj,
2. që ka justifikim objektiv dhe të arsyeshëm, gjegjësisht nëse masa e përcaktuar ndjek një qellim legjitim, dhe se
3. kur ka një marrëdhënie të arsyeshme proporcionaliteti ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet.

Në kontekst të përmbushjes së këtyre kritereve janë edhe masat kufizuese të përcaktuara me nenin 34 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në kuadër të të cilave hynë edhe fakti se ndalohet përdorimi i gjuhës, qoftë në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve, ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo lloj materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë.

Para së gjithash subjektet politike duhet kuptuar se promovimi i demokracisë kërkon një proces zgjedhor të drejtë, transparent dhe të bazuar në integritet, ku qytetarët kanë mundësinë të shprehin lirshëm vullnetin e tyre pa u ndikuar nga kërcënimet, gjuha nxitëse e dhunës apo praktikat e pandershme. Një mjedis ku respektohet liria e shprehjes, por edhe kufizohen ato forma të saj që dëmtojnë procesin demokratik, është thelbësor për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme. Vetëm duke garantuar një fushatë zgjedhore të drejtë, me debat të lirë dhe konstruktiv, mund të forcohet besimi i qytetarëve në institucionet demokratike dhe të nxitet pjesëmarrja e tyre aktive në proceset vendimmarrëse. Kjo, në fund, i shërben jo vetëm respektimit të të drejtave themelore, por edhe zhvillimit të një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Prandaj, subjektet e përfshira në proces zgjedhor, është e rëndësishme që fushatën ta shfrytëzojnë në funksion të asaj për çka është e dedikuar, të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të parandaluar anëtarët, mbështetësit dhe kandidatët e tyre nga shkelja e ligjit dhe e kodit, me theks të veçantë distancimin nga gjuha që nxite ose provokon dhunë, ose mund të nxis dhe provokon dhunë, ndryshe mund të jenë subjekt ndëshkimi, pa përjashtuar zonën penale, por edhe nga mekanizmi përkatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, veprime këto të cilat tashmë kanë ndodhur.

Është po ashtu esenciale që subjektet politike të shmangen nga një gjuhë e tillë, ngase, përveç ndëshkimit, mbi të gjitha sigurohet një klimë normale e të bërit fushatë dhe mbi të gjitha mundësohet proces zgjedhor me integritet.

Garantimin e integritetit të procesit zgjedhor duhet ta bëjnë të gjitha palët, duke filluar nga subjektet politike, pastaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit