roblemi më domethënës sistemik që sfidon legjitimitetin e Dhomave të Specializuara të Kosovës është pranimi i provave të njollosura nga organet e sigurimit shtetëror serb, përkatësisht të kohës së Sllobodan Millosheviqit. Kështu konstaton studiuesi i shquar ndërkombëtar dhe profesori në John Hopkins University, Sinisha Vukoviq, në një bisedë me gazetën Nacionale. Kjo në dritën e dëshmive të James Rubin, zyrtarit të lartë në Administratën Clinton të njohur edhe si “dora e djathtë” e Madeleine Albright si dhe profesorit të shquar të së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, i cili shërbeu si këshilltar i delegacionit shqiptar gjatë konferencës së Rambujesë më 1999. Dëshmitarët e Mbrojtjes në rastin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve rrokën mu në zemrën e pretendimeve të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara ndaj Thaçit dhe të tjerëve, të cilët ngarkohen me krime të pretenduara të luftës dhe nën akuzën e “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale”, pretendim të cilën provojnë ta etablojnë me përshkrimet e urdhërdhënieve të një ushtrie të rregullt me autoritet të centralizuar; për çka dëshmitarët e Mbrojtjes patën shumë çka të thonë për të kundërtën. Vukoviq shtjellon një mori dilemash që e shoqërojnë mbarë procesin: prej dëshmive të pranuara nga organet e Millosheviqit, fokusimi ekskluziv te UÇK-ja e deri te pasojat afatgjate të këtij procesi, që, siç thotë ai, mund të sfidojnë vetë narrativën themeltare të shtetësisë së Kosovës. Provat e pranuara nga organet shtetërore serbe, sipas profesori në “John Hopkins University”, përkthehen në “dyshim të madh për integritetin e dëshmive dhe potencialin për keq-drejtësi”.
Paradoks në rrënjë të ‘Drejtësisë Speciale’
Pyetje çdo herë e më të mprehta në lidhje me legjitimitetin e tribunalit vazhdojnë të dalin në pah. Sinisha Vukoviq, profesor në Universitetin Johns Hopkins, argumenton se çështja nxjerr në pah një problem sistemik që duket të minojë të gjithë misionin e Gjykatës Speciale.
“Procedurat në DhSK, veçanërisht në çështjen e profilit të lartë kundër Hashim Thaçit dhe të bashkëpandehurve të tij, po vazhdojnë me ritmin shpesh të ngadaltë karakteristik të tribunaleve ndërkombëtare, të cilin e kemi parë tashmë në rastin e ICTY-së”, tha Vukovicpër Nacionale. “Për momentin, është e qartë se sfida qendrore për gjykatën është të lundrojë në kontekstin e gjerë politik dhe historik në të cilin ndodhën krimet e dyshuara. Kryesisht sepse mbështetja e gjykatës në provat e ofruara nga strukturat e sigurisë shtetërore serbe nga epoka e Millosheviqit është, sipas mendimit tim, çështja më e rëndësishme sistemike që sfidon legjitimitetin e DhSK-së.”
Ai paralajmëroi se një mbështetje e tillë “ngre pyetje themelore në lidhje me integritetin e provave dhe potencialin për keqdrejtësi.”
“Thelbi i problemit kuptohet më së miri si paradoks”, vazhdoi Vukoviç. “Nga njëra anë, kemi një gjykatë të krijuar për të ofruar drejtësi për viktimat në Kosovë, e cila nga ana tjetër po përdor dokumente me burim nga vetë regjimi që po kryente mizori masive në atë kohë. Nuk është për t’u habitur që mbrojtja vazhdon të këmbëngulë se këto prova janë të njollosura në thelb, me shumë mundësi të fabrikuara ose të manipuluara si pjesë e luftës propagandistike të regjimit të Millosheviqit për të delegjitimuar lëvizjen çlirimtare të Kosovës.”
Sipas tij, kjo dinamikë u vë një barrë të madhe gjyqtarëve: “Ndërsa prokuroria mban detyrën e saj për të paraqitur të gjitha provat relevante, barra bie rënmbdë mbi gjyqtarët për të shqyrtuar origjinën dhe besueshmërinë e çdo dokumenti të vetëm. Nëse gjykata nuk mund të filtrojë në mënyrë efektive trillimet e motivuara politikisht, ajo rrezikon të validojë një narrativë historike të formuar nga një shtet agresor. Kjo shkon përtej një çështjeje teknike ligjore, përkundrazi godet në zemër të pretendimit të gjykatës për të qenë një burim drejtësie të paanshme.”
Implikimet përtej sallës së gjyqit
Për Vukovicin, rreziqet nuk kufizohen vetëm në fatin e të pandehurve, por shtrihen në të ardhmen politike të Kosovës.
“Implikimet afatgjata për Kosovën janë dhe eten të thella, pasi ato mund të sfidojnë narrativën themeltares të Kosovës”, tha ai për Nacionale. “Tani është e qartë se duke ndjekur penalisht udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjyqet e ndërlikojnë narrativën themelore të çlirimit heroik, e cila për çdo shoqëri pas konfliktit mund të bëhet një dinamikë thellësisht polarizuese.”
Ai shtoi se gjyqet rrezikojnë “të gjenerojnë një boshllëk të konsiderueshëm lidershipi, duke nxitur paqëndrueshmëri politike dhe duke dobësuar pozicionin e Kosovës në negociatat kritike ndërkombëtare”.
Problemi përkeqësohet, sipas tij, nga ajo që shumë në Kosovë e shohin si drejtësi të njëanshme. “Këto pasoja amplifikohen nga një perceptim i përhapur i drejtësisë selektive, pasi fokusi ekskluziv i gjykatës në UÇK nxit pakënaqësi dhe minon besimin në drejtësinë e së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.
Në fund të fundit, Vukoviç beson se besueshmëria e Gjykatës do të varet nga fakti nëse ajo mund t’i bindë kosovarët se drejtësia po bëhet në mënyrë të paanshme.
“Nëse procedurat nuk shihen si të besueshme dhe të paanshme, gjykata rrezikon të dështojë në misionin e saj për të promovuar sundimin e ligjit, duke thelluar në vend të kësaj përçarjet dhe duke delegjitimuar vetë konceptin e drejtësisë ndërkombëtare për shumë kosovarë”, tha ai.
Megjithatë, ai sheh edhe një anë optimste ende në horizont: “Megjithatë, ka ende një anë pozitive. Duke u përballur me këtë kapitull të dhimbshëm, Kosova mund të demonstrojë angazhimin e saj ndaj sundimit të ligjit. Lundrimi me sukses i këtij procesi mund të forcojë në fund të fundit pozicionin e saj ndërkombëtar dhe të ndihmojë në sigurimin e të ardhmes së saj si një anëtare e respektuar e komunitetit evropian. Rruga që do të ndjekë Kosova do të varet shumë nga drejtësia e perceptuar e gjyqeve dhe qëndrueshmëria e popullit dhe udhëheqësve të saj”, tha Sinisha Vukoviq për Nacionale.