Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në shënimin e 10-vjetorit të themelimit të partisë, ka thënë se shteti i Kosovës është duke u drejtuar nga anarkistët.
“Sot atdheu ynë drejtohet nga anarkistë, pa trashëgimi politike pa asgjë mbrapa, ata qeverisin përmes dramave, mashtrimeve. Sot ne kemi një qeverisje që është ndalur. Më shumë se kurrë, atdheu ynë ka nevojë për normalitet, njerëz të cilët ofrojnë dhe japin zgjidhje jo nga ata që kudo ku shkojnë japin energji negative”.
“Ne qe në fillim e kemi ditur se rruga është e vështirë, jo e lehtë. Qëndruam prapa sfidave, sepse ne besojmë në politika që prodhojnë ide, vizion që e çojnë vendin tutje. Ne i qëndruam fjalës sonë, duke qenë korrekt me aktivistë, votuesit, partnerët, mbi të gjitha me atdheun. Ka plot personalitete këtu brenda dhe jashtë sallës, ne kemi lënë një trashëgimi politike që kjo të zhvillohet, kemi lënë trashëgiminë e vendit, nuk mund të sillemi si aventurist me këtë trashëgimi që kemi lënë. Ka burra e gra të Kosovës, me shumë gjak e djersë, kanë vuajtur shumë familje qindra mijëra, shokë tanë sot janë dëshmorë për ta lënë këtë trashëgimi. Ne nuk mund të sillemi si aventurist, as me politika populiste, ajo rrugë që e kemi zgjedhur është që të jep moral me kokën lart, sepse kemi shërbyer dhe do t’i shërbejmë me atë që kemi ditur dhe asnjë s’e kemi futur dhe kalkuluar interesin tonë. Çdokush që është në këtë rrugë, duhet të jetë krenar. Trashëgiminë e Kosovës duhet forcuar, trashëgimia na tregon se duhet luftuar për shtetin tonë për të qenë krenarë. Jo rastësisht ka ardhur çlirimi i Kosovës”, ka thënë Limaj.